Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka nisur zbatimin e projektit ‘’ Fenomeni i dhunës në familje‘’, i cili ka për qëllim, parandalimin e dhunës në familje dhe sensibilizimin e të gjithë qytetarëve lidhur me këtë dukuri, rastet e të cilës janë në rritje e sipër.
Në këtë kuadër, DRP e Ferizajt bën me dije se ka bashkërenduar aktivitetet ndërmjet përgjegjësve dhe hetuesve të Sektorit Rajonal të Hetimeve përkatësisht të Njësisë së Dhunës në Familje me të gjitha stacionet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj.
Zbatimi i këtij projekti ka nisur me ligjërata nëpër shkollat e Ferizajt, Shtimes dhe të Hanit të Elezit, për të vazhduar pastaj edhe në të gjitha shkollat e planifikuara të rajonit të Ferizajt.
Për mbarëvajtjen dhe ecurinë e projektit janë angazhuar edhe zyrtarë policor të Njësitit të Komunitetit duke bashkëpunuar ngushtë me drejtoritë Komunale të Arsimit.
Ky projekt do të zgjas deri me 31 tetor.