Dhjetëra përfaqësues të bizneseve, asambleistë të Kuvendit të Komunës dhe qytetarë ferizajas ishin mbledhur sot në sallën e Kuvendit të Komunës, ku u organizua diskutimi publik i Draft Rregullores Komunale për përcaktimin e orarit të punës së veprimtarive afariste dhe veprimtarive të tjera në territorin e Komunës së Ferizajt.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Zekir Bytyqi dhe këshilltarin për informim të Kryetarit të Komunës, Albion Sherifi, hapën këtë diskutim. Kryesuesja e Kuvendit, tha se ky dokument është një dëshmi se qeverisja lokale e udhëhequr nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu është e përkushtuar në krijimin e kushteve të nevojshme dhe mbështetjen për bizneset dhe punëtorët e angazhuar në këto biznese.
Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, Zekir Bytyqi elaboroi gjerësisht këtë dokument, i pari i këtij lloji që përfshinë të gjitha llojet e veprimtarive duke përcaktuar orarin e punës së tyre. Ai tha se kjo nismë është në dobi të biznesit dhe të drejtave të punëtorëve, referuar edhe kërkesës nga një numër i konsiderueshëm i bizneseve ferizajas që patën parashtruar që dita e diel të jetë ditë pushimi për bizneset.
“Deri më sot në bizneset ferizajase, një rregullore e tillë nuk ka qenë funksionale dhe nuk ka patur asnjë herë një orar të definuar. Me përcaktimin e orarit do të përcaktojmë më shumë të drejta dhe kushte për punëtorët në sektorin privat, pa i dëmtuar bizneset. Kjo rregullore krijon një stabilitet në sektorin privat. Do të krijohen kushte që të rinjtë të mos braktisin vendin por të qëndrojnë dhe të kontribuojnë për shtetin dhe veten e tyre. Kjo rregullore do të jetë për të gjitha subjektet afariste të themeluara dhe të regjistruara në pajtim me dispozitat e ligjit për tregti të brendshme dhe klasifikimin e veprimtarive ekonomike” tha drejtori Bytyçi.
Albion Sherifi nga Zyra e Kryetarit të Komunës para të pranishmëve tha se qeveria lokale e udhëhequr nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu ka marr një varg nismash në dobi të mbështetjes së bizneseve, siç është vendimi për uljen e tatimit në pronë për 10% nga baza tatimore, subvencionimi i bizneseve përkatësisht funksionimi i Fondit të Punësimit, si dhe ky dokument i prezantuar sot në diskutim publik që është në funksion të pakos së masave të ndërmarra me qëllim mbështetjen e bizneseve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal.
Përfaqësuesit e bizneseve në diskutimet e tyre, pa dallim mbështetën këtë nismë të ekzekutivit lokal për të vendosur rregull në orarin e punës së veprimtarive afariste dhe të tjera në territorin e Ferizajt. Përveç të dielës që të gjithë u dakorduan që duhet të jetë ditë pushimi, ata patën edhe sugjerime sa i përket punës në ditët e festave zyrtare.
Përfaqësuesit e bizneseve u shprehën të gatshëm që unanimisht ta zbatojnë këtë përcaktim të orarit përmes kësaj rregullore që si synim ka mbështetjen e vet bizneseve dhe punëtorëve të angazhuar në këto biznese.