Sot u bënë 20 vjet nga humbja tragjike e 5 fëmijëve të familjes Koxha nga Kaçaniku. Familjari i tyre, Bekimi, tregon historinë e vdekjes së këtyre vogëlushëve.
“Edoni, biri im, tani do të ishte 23 vjeç, por ai u vra nga një minë e armikut, bashkë me shokët e tij, fëmijë të lagjes: Valdetin, Fisnikun, Burimin e Osmanin. Loja që po e luanin iu ndërpre – bashkë me ëndrrat e tyre fëmijërore. 5 fëmijët tanë u vranë në 24 prillin e 1999-s, atëherë kur Kosova po digjej e shqiptarët po vriteshin nga ushtria e policia okupatore e Serbisë pushtuese”, ka thënë ai.
Më tej, Koxha tregon se janë 20 vjet dhembje, kujtese e trishtimi – por edhe 20 vjet dashurie.
“Edoni kishte vetëm 3 vjet, Fisniku 9, Osmani 13, Burimi 14, Valdeti 15. Sot i kujtojmë me mall – sot dhe çdo ditë, nga ajo ditë e kobshme. Vrasja e Edonit dhe shokëve të tij, na ka dërmuar, por edhe na ka bërë ta shohim jetën në sy”, ka deklaruar ai.
Tutje, Koxha thotë se Edoni dhe shokët e tij që u vranë atë ditë kanë mbjellë në zemrat e familjeve të tyre përgjithmonë dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për Atdheun, përkushtimin dhe vendosmërinë për ta bërë Kosovën një vend ku fëmijët tanë do të mundë të jetojnë të lirë, pa frikën se diku, në një cep të fshatit, mund të vriten nga ndonjë minë mizore.
“Edon, Fisnik, Osman, Burim e Valdet: ju kemi përherë në zemrat e mendjet tona dhe nuk do t’ju harrojmë kurrë”, ka thënë në fund ai. /indeksonline/