Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka paraqitur dy kërkesa për caktim të masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj kundër dy të pandehurve.
“Kundër të pandehurit S.R., nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit sepse ekziston dyshimi i bazuar se me datë 19 Janar, në fshatin Petrovë, komuna Shtime, i pandehuri lëndon të dëmtuarit N.I., dhe S.I, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje, me paramendim me një dru, mjet ky i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore, e godet fillimisht të dëmtuarin N.I., në kokë dhe në pjesët e ndryshme të trupit dhe më pas e godet edhe të dëmtuarin S.I., në kokë me ç’rast ju shkakton lëndime trupore për çka të dëmtuarit detyrohen të kërkojnë edhe ndihmë mjekësore në QKMF në Shtime, ndërsa i dëmtuari N.I., dërgohet për
tretman në QKUK-Prishtinë, më të cilën kishte për të kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se i pandehuri S.R., me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet në ndalim që nga data 19.01.2019, njofton Klan Kosova.
“Gjithashtu, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit edhe ndaj të pandehurit A.A., nga fshati Greme, komuna Ferizaj, i cili me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet në ndalim që nga data 18.01.2019, për shkak të dyshimit të bazuar se pas një mosmarrëveshje rreth punëve, me dashje që të i shkaktoj lëndime trupore e godet në kokë dhe pjesë të tjera të trupit të dëmtuarin XH.V., i cili pëson lëndime të rënda trupore për çka është edhe duke u trajtuar në QKUK-Prishtinë- me çka ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, thuhet mes të tjerash në komunikatë.