Komuna e Ferizajt, përkatësisht, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, përmes Shoqatës së Gjuetarëve “Shqiponja” me të marr informacionin nga terreni, ka denoncuar në Policinë e Kosovës rastin e vrasjes së macës së egër(felis silvestris) kafshë e mbrojtur me ligj në Kosovë, përkatësisht specie e rrezikuar dhe e hasur në numër shumë të ulët për shkakun e ndikimit negativ të faktorit njeri dhe shkatërrimit të habitatit të tij.
Një akt i tillë, barbar varfëron faunën tonë dhe rrezikon zhdukjen përfundimtare të kësaj specie të mbrojtur me ligj.
Autoritetet lokale si vazhdimësi të bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, kanë marr njoftimin se është arrestuar një shtetas për këtë rast, qytetar i Ferizajt nga fshati Pleshinë, dhe se po kryhen hetimet e nevojshme si dhe procedura paraprake e paraparë me legjislacionin në fuqi.
Komuna e Ferizajt pret verdiktin e gjykatës përkitazi me këtë rast, duke besuar se gjyqësori do të jap shembullin e duhur në mbrojtje të faunës sonë dhe që raste të tilla të mos përsëriten më.
Autoritetet komunale falënderojnë Shoqatën e Gjuetarëve “Shqiponja” për angazhimin dhe bashkëpunimin, Policinë e Kosovës për korrektësinë e ndërveprimit si dhe gjithë akterët tjerë që në mënyrë konsistente ndërveprojnë që qytetarëve ferizajas t’i ofrohet një ambient i qetë dhe i sigurtë.