Në të gjitha qendrat mjekësore në komunën e Ferizajt, ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal. Deri më tani këtë vaksinë në Ferizaj e kanë marrë mbi 1200 persona.
Shpresa Mustafa, përgjegjëse e shërbimit të vaksinimit, tha se vaksina kundër gripit sezonal është e dedikuar për personat mbi 65 vjeç, por nuk përjashtohen edhe personat nën këtë moshë të cilët vujanë nga ndonjë sëmundje kronike.
“Vaksina e gripit sezonal si çdo vjet edhe këtë vit ka filluar më 1 tetor, jemi furnizuar nga IKSHPK-ja, këto vaksina janë të dedikuara për të moshuarit, por munden me marrë edhe personat nën moshën 65 vjeçare që kanë ndonjë sëmundje kronike, përndryshe është e dedikuar për të moshuarit, pasi ata sigurisht vuajnë nga ndonjë sëmundje, kështu që vaksina e gripit sado kudo nuk lejon që edhe gripi me qenë një rëndesë tjetër për ta”, tha Mustafa.
Mustafa u bëri thirrje grupeve më të rrezikuara që t’i shfrytëzojnë vaksinat për mbrojtje kundër gripit sezonal.
“Vaksina kemi në doza të mjaftueshme, tash për tash kemi marrë 5400 doza, ndërsa për Ferizaj janë të dedikuara diku 6000 doza, vaksinat kur i kemi marrë i kemi shpërndarë në të gjitha punktet dhe AMF-të, në Qendrën Kryesore numër 1, në Qendrën Rajonale, në 4-sh, siç i themi ne, edhe nëpër fshatra ku kryhet vaksinimi, siç është Gremja, Gaçka, Softaj, Dardania, në mënyrë që pacientët të jenë shumë më afër shërbimit të vaksinimit. Unë apeloj te të gjithë ata që janë të interesuar, sidomos të moshuarit me u vaksinu me vaksinën e gripit sezonal le të afrohen më afër punktit të vetë dhe jo të gjithë në qendrën kryesore, pasi shpërndarja është bërë në të gjitha qendrat dhe AMF-të”, tha Mustafa.
Qytetarët të cilit po prisnin në radhë për të marrë vaksinën kundër gripit, thanë se kjo vaksinë ka mjaftë efekt pozitiv tek ta.
“Jam 72 vjeçar, unë për vete e marrë vaksinën për çdo vit, më ka ndihmu shumë, prandaj apeloj tek të gjithë moshatarët e mi që ta marrin vaksinën kundër gripit”, tha Ekrem Shabani.
“70 vjeçar jam, në çdo vjeshtë i marrim vaksinat, na ndihmon mjaftë shumë, na imunizon kundër gripit”, tha Nuhi Kupina.
“Unë jam 62 vjeçar është i viti dytë që e marrë, vjet më ka ndihmuar mjaftë shumë, kisha preferu me e marrë të gjithë”, tha Sahit Thaqi.
Vaksinimi kundër gripit sezonal i cili ka nisur në fillim të këtij muaji do të zgjasë deri në gjysmën e muajit nëntor dhe është pa pagesë.