Ferizaj.05.10.2018. Ferizaj dita- ditës po pëson transformim rrënjësor në mbylljen e ciklit të investimeve në infrastrukturën bazike. Këtë radhë po zhvillohet një projekt i rëndësishëm për fshatin Pleshinë. Është fjala për asfaltimin e rrugës me gjatësi prej 900 metrash në lagjen Mustafa në Pleshinë.
Për të parë nga afër asfaltimin e kësaj rruge, doli Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, nënkryetari i Ferizajt, Naim Ferati si dhe drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi. Ky i fundit tha se kjo rrugë paraqet një investim që do të përmirësoj cilësinë e jetës për banorët e kësaj zone dhe mundësi më të madhe zhvillimi tërësor të kësaj pjese.
“Jemi në fshatin Pleshinë, gjegjësisht në Lagjen Mustafa ku po bëjmë asfaltimin e rrugës kryesore që lidh këtë lagje dhe disa rrugica që janë në këtë lagje, bëhet fjalë për një projekt me vlerë rreth 96 mijë euro ku do të bëhet asfaltimi i rrugës me gjerësi 6 metra dhe gjatësi 900 metra, dy shtresa. Edhe ky projekt tregon vendosmërinë e qeverisjes lokale për përfundimin e projekteve të nisura dhe përfundimin e vuajtjes së qytetarëve të kësaj zone nga pluhuri dhe balta. Gjithashtu tregon edhe mbështetjen që kemi ne si qeverisje karshi bizneseve pasi që në këtë rrugë e kemi një biznes shumë të rëndësishëm dhe këtij biznesi do t’i mundësojmë qarkullim më të lehtë dhe mundësinë që të zhvilloj aktivitetin e tij biznesor shumë më lehtë” tha drejtori Bytyqi.
Ai theksoi se nuk është vetëm ky projekt që po zhvillohet në Pleshinë, është gjithashtu duke u realizuar projekti në lagjen Blini dhe Lagjen e Hashanëve ku do të bëhet hapja e kanaleve për ujëra, për qarkullimin e ujërave atmosferik, gjithashtu edhe asfaltimi i rrugëve në këto zona.
Kjo projekt ka një kosto prej afro 96 mijë euro, që përfshinë asfaltimin e rrugës me gjatësi prej 900 metrash dhe gjerësi 6 metra.