Një proces i mbetur në gjysmë që nga viti 2013, do të marr drejtimin e duhur së shpejti. Kjo pasi që, i pari i Ferizajt, Agim Aliu mori vendimin për të shpallur zyrtarisht zgjedhjet për kryetar të fshatrave dhe bashkësive lokale në zonën urbane. Ky proces mjaft i rëndësishëm për të artikuluar kërkesat dhe nevojat e banorëve të zonave rurale dhe urbane zgjidh përfundimisht hendekun e komunikimit dhe përfaqësimit zyrtar pranë institucioneve përkatëse në nivel lokal. Për të përgatitur sa më mirë këtë proces, ditë më parë, drejtorja e Administratës së Përgjithshme, Aurora Ramadani, ka zhvilluar një takim konsultativ me përfaqësuesit e fshatrave dhe zonave urbane me pjesëmarrjen edhe të shoqërisë civile që do ta mbikëqyr dhe lehtësoj këtë proces.
Zgjedhja e kryetarëve dhe kryesive të fshatrave dhe zonave urbane do të bëhet konform Rregullores Komunale për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Ferizajt.
Edhe ky proces, i shëndetshëm për funksionimin e raportit komunitet-institucione pati mbetur në gjysmë në vitin 2013, madje ishte përcjellë me shumë deformime dhe veprime jolegjitime të kontestuar edhe nga autoritetet lokale por edhe nga vet komuniteti i fshatit apo lagjes. Vlen të theksohet se edhe në vitin 2013 këtë proces e pati filluar Kryetari i atëhershëm dhe i tanishëm i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, mirëpo që devijoi në vitin 2013 pas ndërrimit të qeverisjes. Që nga ajo kohë, fshatrat dhe lagjet e qytetit nuk kanë përfaqësimin e duhur të kërkesave të tyre pranë autoriteteve lokale. Siç kishte thënë edhe për çështje tjera i pari i Ferizajt, Agim Aliu, edhe për këtë çështje, u deshtë të rikthehet në pushtet për t’i dhënë drejtimin e duhur çështjeve të papërfunduara nga koha e tij.
0