28,11,2024

Letër e hapur nga gjenerali pa ushtarë, rrenc, e mashtrues!

Must Read

Shkruan: Shukri Buja

Të më falni që po ju shkruaj, po jam i detyruar të ju shkruaj për rrenat e mashtrimet e mia të planifikuar nga imagjinata ime e kufizuar!

Nuk ju kisha drejtuar me këtë letër të hapur për t`iu treguar për rrenat dhe mashtrimet e mia po me binden deklaratat e sinqerta dhe me vërtetësi absolute të gjeneralëve që kishin strukturë dhe ushtri të organizuar, më bindën disa me të vërtetën relative për procesin politik dhe marrëveshjen politike për listat, me bindën heshtja e atyre si duket pjellë e imagjinatës sime që bënë marrëveshje politike për të paraqitur struktura ushtarake të vërteta haha! Me falni ju lutem!!?

Gjeneral Rrena! Me falni ju lutem qytetarë se gabimi ishte teknik nga kompjuteri!!! Gjeneral RRemi e tha një të vërtetë absolute “UÇK kishte rreth njëzet mijë ushtarë e Zona e Llapit mbi pesë mijë” po të plotësohet me të vërtetën absolute të eprorëve të Zonës së Dukagjinit, ( Gjeneral Haredinaj  ka dhënë shifra të vërteta apsolute 5-60000 edhe pse imagjinata ime e ka projektuar si nënshkrues të aplikacioneve të kësaj Zone me mbi 15.000), se i kishte si Zonë mbi pesëmbëdhjetë mijë ushtarë, atëherë del e vërteta absolute e numrit të UÇK-së!? S’ka pas Shtab të Përgjithshëm, as zona tjera, e lëre më Zonë Operative të Nerodimes, është pjellë e një të vetëshpalluri Gjeneral, është pjellë e imagjinatës së tij të kufizuar nga e cila kanë dalë rrena e mashtrime për ushtarë në atë Zonë!!

Po kështu të vërtetën absolute e thotë edhe Gjeneral Selami!?  Me falni prapë se po gabon kompjuteri im, kompjuteri i  Gjeneralit pa ushtarë,  rrenc e mashtrues! Gjeneral Selimi nga burgu: “UÇK i kishte 12.700 ushtarë”, fatkeqësisht gazetari nuk e pyeti se sa ushtarë kishte Zona e Drenicës se ka mundur  të rrejë Gjeneral Selimi ka qenë Komandant i Zonës së Drenicës deri tre apo katër muaj para përfundimit të Luftës (kështu thotë imagjinata ime), se do e thoshte një shifër mbi pesë mijë si shifër imagjinative e rrejshme kuptohet!! Mund të jetë kjo e vërteta absolute Zona e Drenicës me mbi pesë mijë edhe e Llapit mbi pesë mijë, kjo pra ishte UÇK-ja!!? Çka keni ju rrencat  e mashtruesit e Shtabit të Përgjithshëm, ju rrencat e mashtruesit e zonave, pranojeni si unë ishit gjeneral  pa ushtarë, rrenca e mashtrues.

Vulën të vërtetës apsolute ia vuri Komandanti i komandanteve të Komandantit të Përgjithshëm: “Ne nuk fituam luftën ushtarake kundër Serbisë, po luftën politike… UÇK-ja kishte 13.000 deri në 15.000 ushtarë kush thotë ndryshe gënjen”. E mbylli debatin e lodhshëm.

E di se po ju lodhi me këto rrenat e mia. Kam shumë rrena pjellë e imagjinatës sime të kufizuar, po me lejoni ta them vetëm edhe një rrenë  para se të kaloj te rrena ime unike.

Me imagjinatën time të kufizuar pas lufte në kohë fushate për zgjedhje pata ndalur punën e komisioneve në Zonën e Nerodimes deri pas zgjedhjeve. E besoni këtë rrenë timen?

Rrena dhe mashtrimi unik i gjeneralit pa ushtarë!

E imagjinova me këtë imagjinatën time të kufizuar që përveç rrenave deri në luftën e Jezercit kur me urdhër të Komandantit imagjinativ të njësiteve për Ferizaj, Imri Ilazi, pas luftimeve të rrejshme në Jezerce, dëshmorëve të rremë, u shpërndan njësitë në Jezerc deri në urdhër tjetër, fillova ta konsolidoj rrenën dhe mashtrimin.

Nga kjo kohë imagjinata ime e kufizuar filloi të rrejë e mashtrojë për një organizim të konsoliduar me strukturë organizative të skuadrave, togjeve, kompanive, batalioneve të ndara në dy brigada, Brigada 161 dhe Brigada 162, madje u vura edhe emra më vonë të dy dëshmorëve Agim Bajrami dhe Ahmet Kaqiku pjellë e imagjinatës sime!!

E Strukturova Komandën e Zonës Operative të Nerodimes me imagjinatën time për t`iu mashtruar dhe rrejtur juve qytetarë të nderuar. E strukturova me zëvendës timin, me shef shtabi, me sektorin e personelit, zbulim-kundërzbulimit, me sektorin e logjistikës e cila kishte edhe repartet e veta si repartin e automjeteve dhe automekanikëve, spitalin ushtarak me ekipe mjekësore të kompletuara, anesteziolog, kirurg, urolog, motra medicinale e teknik medicinal duke planifikuar edhe ekipe mbështetëse mjekesh sipas nevojës që vinin nga Ferizaj, me repartin e mjekësisë me dr. Vezirin e motrën Lide që vepronin edhe jashtë strukturave të Zonës. E organizova me këtë imagjinatën time të kufizuar edhe sektorin e ndërlidhjes, sektorin e operativës, sektorin moralo- politik, sektorin e bashkëpunimit popull-ushtri, të informimit  duke e imagjinuar organizimin edhe të Batalionit Gardist dhe Batalionin e Policisë Ushtarake. Po nuk përfundoi këtu imagjinata ime për t`iu rrejtur e mashtruar juve qytetarë të nderuar vazhdova duke krijuar për secilin sektor kompjuter e zyre, organizova shkollën ushtarake në Jezerc, çdo komandë Brigade e sistemova me sektorë si të Zonës, batalione e kompani, togje e skuadra dhe nuk u ndala duke imagjinuar jo zvogëlimin e ushtarëve po vetëm shtimin e tyre dhe organizova para përfundimit të luftës edhe dy brigada, Brigaden 163 dhe 164 për ta plotësuar rrenën për ju dhe mashtrimin madje organizova edhe Batalionin e Logjistikës.

Dhe në këtë rrenën dhe mashtrimin tim të strukturuar mirë besoj si rrenë i mendova edhe betejat si betejën e Jezercit, betejën e ndërlidhjes, betejën e Reçakut, betejën njëmujore nga Gremja deri në Rancë, betejën e Gabrricës, betejën e Puseve të Nikës, betejën e çlirimit të Kaçanikut e të tjera po madje imagjinova edhe kujt i raportova, nga kush mora urdhra, e imagjinova për ta bërë të besueshme rrenën dhe mashtrimin edhe Shtabin e Përgjithshëm. Mos t`iu lodhi ju qytetarë të nderuar, se besoj do të më thirrë prokurori profesional i ikur mua të akuzuarin pa aktakuzë për t’ia treguar si e plotësova rrenën me formimin e komisioneve të Komandës së Zonës me gjithë shefat e sektorëve dhe zëvendësin tim, me komisionet e brigadave me komandantët vartës, me komisionet e njësive vartëse të Zonës të cilët në imagjinatën time e bënin rrenën dhe mashtrimin të besueshëm per ju qytetarë të nderuar! Më falni qytetarë të nderuar, se ky prokurori paska ikur!! Besoj thirrë ndonjë tjetër prokuror ndoshta edhe i kujtohet të më bëj të akuzuar me aktakuzë, dhe po shpresoj që të më thirr me akuzë për rrena e mashtrim e jo si ai që iku për tejkalim të autoritetit zyrtar.

Besoj me thirr pasi t’i ketë thirrur shumë të tjerë e t’i pyes për të vërtetën absolute dhe ata me të vërtetën relative!? Pasi t’i pyes ata e ta nxjerrë të vërtetën absolute dhe relative, rrena e mashtrimi im identifikohet lehtë se kisha imagjinatë të kufizuar, rrena dhe mashtrimi im janë unike! Si duket s`kishte imagjinatë më të avancuar asnjë Gjeneral i të vërtetës absolute, fatkeqësisht!

Të aftë e të sinqertë, luftëtarë e trima ishin këta të së vërtetës absolute dhe përkrahësit e tyre. Unë s`mund t`ua  vërtetoj këtë unë rrenci e mashtruesi, gjenerali pa ushtarë!

Me lejoni i nderuar populli im i lodhur nga të vërtetat apsolute të ju relaksoi me një poezi  që s’ka vlerë artistike

Tallkini

Heshtje mortore

Vetëm zëri i hoxhës dëgjohet

Tallkinin këndon

Në gjuhën që xhemati s’e kupton

Po aminin ja bënë

Tallkinin

Hoxha i këndon xhematit

Për vdekjen e tij

Amin

Xhemati aprovon

Në gjuhën që s’e kupton.

Me respekt Gjenerali pa ushtarë, rrence e mashtrues  Shukri Buja!

Me falni për ironinë!!!

Më 23.09.2018

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Në fundjavë, “KUPA E FEDERATËS 2024”

Spektakli i volejbollit në Kupën e Federatës, fillon këtë fundjavë! Këtë fundjavë nis edicioni i ri i Kupës së FVK-së,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img