Pasditen e sotme, drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti – Sadiku simbolikisht i ka dorëzuar Kryesueses së Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi Bytyçi, Projektbuxhetin e Ferizajt për vitin 2019.
Ky dokument themelor i planifikimit financiar dhe orientimit të investimeve nga institucioni i Komunës, i propozuar nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu për anëtarët e Kuvendit të Komunës për miratim është një buxhet i varfër krahas pritshmërive të qytetarëve, i rënduar nga borxhet e shumta ndaj operatorëve ekonomik të trashëguara këto nga ish pushteti, buxhet prej vetëm 1 milionë e 5 mijë euro në investime kapitale, të cilat pas diskutimeve me banorët e lokaliteteve të Ferizajt, janë prioritizuar si projekte dhe janë futur në planin e financimit për vitin 2019.
Drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti Sadiku tha se Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu dhe gjithë ekipi qeverisës kanë bërë më të mirën në orientimin e drejtë të investimeve të parapara në këtë buxhet dhe si i tillë do të shtrihet në të gjitha fushat ku është vlerësuar nevoja për investime.
Në anën tjetër, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi tha se këtë dokument do ta paraqes për miratim në seancën e radhës të Kuvendit dhe se si i tillë, paraqet dokumentin themeltar për investime në territorin e Ferizajt për vitin 2019.
Projektbuxheti i Komunës së Ferizajt, për vitin 2019 është i rënduar mjaft shumë nga borxhet e trashëguara dhe keqplanifikimi financiar në projekte të ndryshme të cilat janë programuar që të shlyhen ndër vite, mirëpo duhet theksuar se pa mbështetjen e fuqishme që ka Komuna e Ferizajt dhe Kryetari i Komunës, Agim Aliu nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ky projektbuxhet i Ferizajt për vitin 2019 do të ishte fare i pamjaftueshëm për adresimin e çështjeve, iniciativave dhe projekteve infrastrukturore në dobi të qytetarëve ferizajas.