Ferizaj.16.07.2018. Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, drejtorë të drejtorive komunale, drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, shoqatës së familjeve të dëshmorëve, familjarë të dëshmorëve dhe qindra qytetarë bën homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, me rastin e Ditës së Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj si dhe 20 vjetorit të rënies heroike të Dëshmorit të Kombit, dëshmorit të parë të Ferizajt, Nazmi Ukësmajli.
Me këtë rast, kreu politik e shoqëror ferizajas vendosi kurora lulesh tek lapidari i Dëshmorëve të Kombit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, në nderim të jetës dhe veprës të dëshmorëve dhe të rënëve për liri.
Në kuadër të shënimit të kësaj date të rëndësishme për qytetarët ferizajas dhe luftës për liri nga djemtë dhe vashat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në sheshin “Nazmi Ukësmajli”, u vu gur themeli i shtatores së Dëshmorit të Kombit, dëshmorit të parë të UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, Nazmi Ukësmajli.
Me këtë rast, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu duke vlerësuar lartë trimërinë e djemve dhe vashave të UÇK-së në luftën për lirinë e Kosovës, tha se pa heroizmin e tyre dhe gjakun e Dëshmorëve të Kombit, Ferizaj dhe e gjithë Kosova nuk do të ishte kjo që është sot.
“Sot është një ditë e veçantë, është 16 korriku – Dita e Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Ferizaj. Është e veçantë dhe më lejoni të nderuara nëna dhe baballarë të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të uroj gjithë shokët dhe shoqet e dëshmorëve tuaj dhe dëshmorëve tanë që ishin krahë për krahë në betejat e lavdisë, në betejat e krenarisë, në betejat ku u sakrifikua deri në flijim që të gëzojmë ne sot dhe sot ne e kemi ditë të veçantë jo vetëm se është 16 korriku, por edhe se është viti 2018, e viti 2018 është viti i jubileve të mëdhenj. Është viti i 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është viti i 20-të i fillimit të ndryshimit të epokave, sepse kështu kishin vendosur i gjithë kombi kudo që ishte, sepse thërriste zëri i lirisë, thërriste zëri i atdheut dhe duke thirr zëri i atdheut dhe zëri i lirisë, kudo që ishin shqiptarët vendosën që edhe ata që ishin në diasporë të ktheheshin dhe të bëheshin pjesë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse thirrja ishte për të gjithë, pra u vunë trimat dhe trimëreshat, djemtë dhe vashat më të mirë të kombit, 20 vjet më parë për ta vënë veten në dispozicion, për ta sakrifikuar veten dhe flijuar në mënyrë që të ndryshojnë epokat, epoka e robërisë filloi fundin e saj, sepse kështu kishin vendosur trimat dhe trimëreshat e kombit, djemtë dhe vashat më të mirë të kombit shqiptar. Dhe sot ne me krenari, përulemi para secilit dëshmorë, përulemi para secilës plagë të invalidit të luftës, përulemi para secilës sakrificë të veteranit të luftës dhe secilit prej tyre qoftë familjarë të dëshmorëve, qoftë invalidët e luftës, qoftë veteranët duhet ta mbajmë kokën lartë sepse ishte fati i tyre, ishte nderi dhe krenaria jonë që t’i kemi ata bartës të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në emër të qytetarëve të Ferizajt, uroj në radhë të parë familjen Ukësmajli që pikërisht është zgjedhur 20 vjetori i rënies, 20 vjetori i ndryshimit të epokave për t’u vënë sot gurthemeli i shtatores së Dëshmorit të Kombit, Nazmi Ukësmajli. Më lejoni të uroj edhe njëherë gjithë veteranët për ditën e tyre, ditën për të cilën jo vetëm sot por gjithmonë duhet të krenohemi dhe ta mbajmë kokën lartë. Urime të gjithëve, ta gëzojmë gjithmonë lirinë, lavdi të gjithë të rënëve, lavdi Dëshmorëve të Kombit e heronjve, lavdi dëshmorit Nazmi Ukësmajli!” tha Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu
Edhe deputeti i Kuvendi të Kosovës, Elmi Reçica mbajti një fjalë rasti me rastin e vënies së gur themelit të shtatores së Dëshmorit të Kombit, Nazmi Ukësmajli.
“Jemi sot në këtë 20 vjetor që shënon një kohë shumë të shkurtër sa i përket historisë, por shënon një hap apo hapërim gjigant të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Dita e sotme është një ditë shumë e veçantë në vazhdën e ditëve të rëndësishme të shtetit tonë dhe kombit tonë, por sa i përket rezultateve të prodhuara Dita e Veteranëve Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shënon ditën dhe ngjarjen më të rëndësishme që ka përjetuar kombi ynë. Nazmi Ukësmajli ka qenë njëri nga ushtarët e parë i cili ka lënë jetën, luksin e Perëndimit dhe ka ardhur këtu. Ndihemi krenar që kemi qenë bashkëluftëtar të Nazmiut dhe dëshmorëve tjerë, ndihemi krenar që e kemi vazhduar atë rrugëtim të tyre. Ndihemi krenar që edhe e kemi pritur 11 qershorin 1999 dhe 17 shkurtin e vitit 2008, ndihemi krenar që kemi prit ato momente të cilat ata i kanë ëndërruar. Pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë qytetarët e këtij vendi që e kanë mbështetur në fazat më të rëndësishme ne nuk do të kishim as liri dhe as pavarësinë. Urime Dita e Veteranit, urime ky gur themel, besoj dhe shpresoj se ky vend ka një përparësi të ndritur, ka një mundësi për të hapëruar, për t’u zhvilluar dhe për të qenë një nga vendet më të fuqishme të rajonit” tha deputeti Reçica.
Me fjalë rasti të pranishmëve me rastin e vënies së gur themelit të shtatores së dëshmorit të parë të UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes i është drejtuar edhe Gjenerali Imri Ilazi dhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Rafiz Sejdiu.
E ëma e Dëshmorit të Kombit, Nazmi Ukësmajli, Nazlije Ukësmajli ka falënderuar shokët dhe bashkëluftëtarët e të birit, kreun shtetëror të nivelit lokal dhe qendror duke theksuar se është krenare që dha birin e saj për lirinë e Kosovës, që vendi ynë të mos ketë më robëri.
Me vizitë në vendin e rënies së dëshmorit Nazmi Ukësmajli në Jezerc përfundoi edhe aktiviteti në shënim të Ditës së Veteranit të UÇK-së në Ferizaj.