Me një ceremoni të organizuar nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) u shënua dita e pensionimit të Kolonel Bedri Zeqiri. Kjo ditë për Kolonel Zeqirin u bë edhe më e rëndësishme dhe më emocionale kur me nderime të larta në prani të oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve dhe në prani të shokëve si dhe familjarëve, Komandanti i KDS-së gjeneral brigade Enver Cikaqi, i dorëzoi kolonel Bedri Zeqirit gradën e nderit gjeneral brigade në pension.
Kolonel Bedri Zeqiri u përshëndet me detyrën e oficerit duke falënderuar të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët për bashkëpunim dhe mbështetjen gjatë gjithë kohës së shërbimit. Me këtë rast ai kujtoi disa ngjarje nga jeta në uniformë të përshkruara me emocione që kishin të bënin me sfidat dhe vështirësitë gjatë karrierës ushtarake.
Komandanti i KDS gjeneral brigade Enver Cikaqi dekoroi me “Medaljen e shërbimit” duke i dhënë gradën e nderit gjeneral brigade Bedri Zeqirit, për kontributin e dhënë gjatë kohës së lutës çlirimtare dhe më pastaj kontributin e dhenë në ndërtimin e institucioneve të sigurisë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Gjeneral Cikaqi tha se, “Gjenerali në pension Bedri Zeqiri duhet të merret si shembull se si duhet për ti shërbyer atdheut. Ti shërbesh atdheut është nder dhe përgjegjësi, por Bedriu kishte forcën, guximin dhe vullnetin për të bërë një gjë të tillë në çdo kohë. Ai në të mirë të vendit shërbeu si pjesëtarë i UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së”.
Gjenerali në pension Bedri Zeqiri shërbeu plotë 40 vjet në uniformën e ushtarakut, dhe pikërisht në dyzetvjetorin e fillimit të karrierës ushtarake, mori gradën e nderit gjeneral dhe u pensionua si epror i lartë i FSK-së.