Të enjten është bërë asfaltimi i rrugës “Ajet Gërguri”në Ferizaj.
Nga afër këtë asfaltim e ka inspektuar edhe kryetar i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa me bashkëpunëtoret e tij.
Me këtë rast mbikëqyrësja e këtij projekti, inxhinierja e ndërtimtarisë Leonora Zeqiri, është shprehur se në këtë rrugë është bërë ndërrimi i gypit të ujësjellësit, është bërë rregullimi i kanalizimit si dhe asfaltimi i kësaj rruge. Ajo u shpreh tejet e kënaqur edhe më cilësinë e punimeve që janë bërë në këtë rrugë.
“Është ky një projekt shumë i rëndësishëm për banorët e kësaj pjesë të qytetit. Në këtë rrugë është intervenuar edhe në gypin e ujësjellësit, por edhe në kanalizim. Nga takimet që kemi pasur edhe me banorët e kësaj lagje të gjithë janë shprehur tejet të kënaqur me këto investime që janë bërë në këtë rrugë”, është shprehur inxhinierja Zeqiri.
Edhe banorët e kësaj rrugë janë shprehur tejet mirënjohës komunës së Ferizajt për realizmin e këtij projekti jetik për ta.
U bë e ditur se vlera e këtij projekti kap shumën rreth 10 mijë euro.