26,11,2024

BIK-u pranon lëshimin e bërë për rastin “Lavdrim Muhaxheri” në Kaçanik

Must Read

Bashkësia Islame e Kosovës e konsideron si lëshim të saj rastin e lajmërimit të vdekjes së militantit famëkeq të grupit Shteti Islamik [IS], Lavdrim Muhaxheri, që ishte bërë në xhaminë e qytetit të Kaçanikut.

Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik, pati shfrytëzuar xhaminë e qytetit dhe mikrofonët në minaren e saj për të njoftuar komunitetin për vdekjen e Lavdrim Muhaxherit.

Në xhami, po ashtu ishin dhënë njoftimet, në emër të familjes së tij, për ata që donin të shprehnin ngushëllimet e tyre.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në rastin e lajmërimit të vdekjes së Lavdrim Muhxherit nga ana e Këshillit të Bashkësisë Islame ka qenë një rast unik i pa ndodhur më parë.

“Në rastin e Lavdrim Muhaxherit ka qenë një rast unik. Nuk kemi pasur raste të tilla më herët dhe njoftimi për të është bërë si i përgjithshëm. Është bërë një lëshim në këtë rast që besoj se në të ardhmen do ta rregullojmë. Nuk besoj që në të ardhmen në raste të tilla të bëhet një njoftim i tillë, do ta rregullojmë edhe këtë çështje. Nuk do të përsëriten rastet e tilla”, ka thënë Sadriu.

Ai ka treguar se është traditë e besimtarëve të besimit islam që rastet e vdekjes t’i lajmërojnë në xhami, në këtë rast në Këshillin e Bashkësisë Islame.

“Zakonisht në xhami shkojnë tek imami dhe është traditë që kërkohet të njoftohet xhemati nëpërmes një thirrje që quhet sallë apo ‘temxhid’, që i njofton të gjithë qytetarët që ka një rast vdekje dhe për të marrë pjesë në varrim. Kjo është traditë e kahershme”, thotë Sadriu.

Bashkësia Islame e Kosovës, ka thënë Sadriu, ka marrë masa ndaj kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik, Florim Neziraj, i cili kishte shfrytëzuar xhaminë e qytetit për të njoftuar qytetarët për vdekjen e Lavdrim Muhaxherit.

Neziraj, ka shtuar Sadiku, është shkarkuar nga detyra e kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik.

Image

“Florim Neziraj është shkarkuar nga pozita e kryetarit të këshillit të Bashkësisë Islame të Kaçanikut”, ka thënë Sadriu.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të kontaktuar Florim Nezirajn, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Megjithatë, kohë më parë Neziraj, i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se është i vetëdijshëm për atë që ka bërë dhe kishte thënë se për rastin dhe veprimet e tij kishte biseduar edhe me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava.

Familja Muhaxheri hap derën për ngushëllime

​”Normalisht, Myftiut nuk i ka ardhur mirë, por ne e bëjmë këtë për të gjithë qytetarët dhe nuk kam llogaritur se u bë keq diçka. Këtu ka qenë në pyetje familja, e jo Lavdrimi. Absolutisht, unë i kam bërë një shërbim familjes. Pra, unë i kam bërë një shërbim familjes dhe nuk e ndjej si një gabim. Nuk jam penduar për këtë punë”, pati thënë Neziraj.

Ndërkohë, veprimi i Florim Neziraj, sipas ekspertit të çështjeve të sociologjisë së religjionit, Ismail Hasani, ka shkaktuar indinjatë të thellë tek qytetarët e Kosovës.

Në rastet e lajmërimeve të tilla për vdekje që bëhen në xhami, Hasani thotë se më me rëndësi është elementi i kodit etik të njerëzimit, sesa eventualisht ndonjë mospërcaktim i kodeve edhe rregullave të sjelljeve në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Vendimi i BIK-ut për shkarkimin e imamit të xhamisë në Kaçanik me rastin e veprimit të tij incidental për vdekjen e Lavdrim Muhaxherit, është veprim i marrë në mënyrë korrekte. Pa marrë parasysh që me normativat fetare këto gjëra nuk janë të rregulluara se kujt duhet t’i thirret lajmërimi për vdekje apo ngushëllime, megjithatë provinenca jonë ka një kod etik që duhet t’i përmbahemi, jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe ata që janë prijës fetar”, thotë Hasani.

Lavdrim Muhaxheri, qytetar nga Kaçaniku i Kosovës thuhet të ishte vrarë gjatë një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara në Siri, në natën ndërmjet 7 dhe 8 qershorit.

Muhaxheri njihej si një udhëheqës i shqiptarëve në formacionet terroriste të të ashtuquajturit Shteti Islamik [IS].

Kosova është përballur që nga viti 2012 me përfshirjen e qytetarëve të saj në zona të luftërave në Siri dhe Irak.

Deri më tani, sipas autoriteteve të sigurisë, janë regjistruar rreth 316 persona që kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës vlerësohet se ndodhen edhe rreth 140 të tjerë.

Bazuar në të dhënat e deritashme, rreth 117 veta janë kthyer në Kosovë, dhe deri më tani rreth 40 veta janë dënuar për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.

Kosova tashmë ka miratuar Ligjin i cili sanksionon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja dhe që parasheh dënimin me burg deri në 15 vjet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img