Kompania “Arlindi”, gjatë ditës së premte ka ndezur ekskavatorët e tij për fillimin e punimeve në kuadër të projekteve për rregullimin dhe asfaltimin e rrugëve të loto II. Në kuadër të loto II, do të asfaltohen 25 rrugica që janë në rrugën “Rexhep Bislimi” e deri tek rruga “Vëllezerit Gërvalla”, në Ferizaj.
Në fillimin e këtyre punimeve, numri një i qeverisë lokale të Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur se sot po fillojnë investimet më të rëndësishme në zonën urbane të qytetit që do të realizohet përmes katër lotove, dhe tashmë janë përzgjedhur edhe operatorët ekonomik.
”Ne me këtë po fillojmë njërin ndër realizimet më të rëndësishme për qytetin, një projekt që buxhetit të komunës së Ferizajt, i kushton rreth 500 mijë euro dhe i cili projekt përfshinë, asfaltime, por në disa rrugica edhe infrastrukturën tjetër përcjellëse. Njëra nga rrugët kryesore është edhe rruga “Shaban Gashi”, në kuadër të secilës është një segment jashtëzakonisht i gjatë në segmentet të përgjithshme , ku përfshihen me tepër se 6 kilometra e gjysmë vetëm në këtë zonë”, ka thënë kryetari Svarqa.
Ndërkaq banorët e këtij lokaliteti janë shprehur tejet mirënjohës komunës së Ferizajt, për realizimin e këtij projekti madhor. Thanë se rregullimi i rrugëve të tyre ka qenë tejet i domosdoshëm ngase ato kanë qenë mjaft të dëmtuara.
U bë e ditur se projektin loto II e ka fituar kompania “Arlindi”, ndërsa vlera e kontratës kap shumën prej 460 mijë euro ku do të asfaltohen 25 rrugica me gjatësi prej 6 kilometra e 528 metra , ndërsa gjerësia e rrugëve është 4-5 dhe 6 metra.