Udhëheqja komunale e Ferizajt sot ka filluar edhe një projekt ku është përfshirë asfaltimi i 28 rrugicave të cilat gjenden mes rrugëve “ Brahim Ademi” dhe “Enver Topalli”.
Me këtë rast u tha se do të investohen mbi 500 mijë euro në rregullimin e këtyre rrugicave dhe banorët do ta kenë më të lehë qarkullimin me qytetin dhe me anët e tjera të Ferizajt. Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa potencoi se në këtë mënyrë po tregohet përkushtimi i qeverisë komunale ndaj nevojave të qytetarëve.
“Kjo do të thotë që ne jemi shumë të ndërgjegjshëm për investime proporcionale dhe paralele në të gjitha anët e komunës së Ferizajt, në veçanti në zonën urbane sepse këtu kemi të bëjmë me fillimin e punimeve në rrugën “Lumni Baliu” ku nënkuptohet rregullimi i kanalizimit dhe asfaltimi ose shtruarja me kubëza në këtë rrugë, brenda llotos II në qytet që ngërthejnë në vete 28 “ rrugica të cilat gjenden mes rrugës “Brahim Ademi” dhe rrugës “Enver Topalli” pra kemi të bëjmë me grykën e Pleshinës dhe grykën e Nerodimes të cilat rrugica kanë mbetur të paasfaltuara një kohë të gjatë. Këto rrugica komunës së Ferizajt do t’i kushtojnë rreth gjysmë milioni euro në një gjatësi prej 6 kilometra e gjysmë. Sipas gjendjes faktike nëpër këto rrugica shpresoj që qytetarët do të jenë vlerësuesit më të mirë për përkushtimin e komunës për t’ua lehtësuar qarkullimin dhe jetën këtyre banorëve. Unë i uroj banorët dhe i falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur në këta muajt e fundit” tha kryetari Svarqa.
Ndërkaq Ali Halimi banor në këtë lokalitet tha se prej se e mban mend krijimin e lagjes së tij nuk ka gëzuar ndonjë investim kjo pjesë. Ai falënderoi kryetarin Svarqa për angazhimin në realizimin e këtyre projekteve madhore.