Prorektori për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, z. Afrim Loku priti sot në takim profesorin, John Fisher, si dhe profesorë të tjerë dhe studentë të Universitetit “Utah Valley”, të ShBA-së, ku u bisedua në përgjithësi për çështje që kanë të bëjnë me shërbimet emergjente.
Përfaqësuesit e këtij Departamenti, në ligjëratën që mbajtën para studentëve të UShAF, folën gjerësisht për emergjencat si: tërmetet, zjarret, vërshimet, aksidentet ajrore dhe fatkeqësi të tjera natyrore.
Profesorët iu demonstruan studentëve se si duhet të reagohet në rast të ndonjë fatkeqësie dhe si duhet të jepet ndihma e parë, ndërsa folën edhe për punën që bëjnë ata si pjesë e Universitetit “Utah Valley”.
Prorektori Loku falënderoi përfaqësuesit e këtij Universiteti për kohën që e ndanë për të informuar studentët e UShAF për mbrojten nga fatkeqësitë e ndryshme me të cilat mund të përballen ata dhe tha se kjo ligjëratë është e nevojshme jo vetëm për studentët, por për të gjithë ne.
Ndërsa, profesori Fisher u shpreh i kënaqur që kishte interesim të jashtëzakonshëm të studentëve në këtë ligjëratë dhe tha se kjo tregon se ne të gjithë kemi nevojë për një ligjëratë të tillë. Ai, po ashtu, u shpreh shumë falënderues ndaj UShAF, që ua mundësoi që t’i ndajnë përvojat e veta me studentët.
Departamenti i Shërbimeve Emergjente i Universitetit “Utah Valley”, përgatitë praktikimin e shërbimeve profesionale emergjente ndërmjet programit, i cili balancon aftësitë teknike, të menduarit kritik dhe etik, udhëheqjen dhe komunikimin efektiv.