Kjo pasi legjislacioni aktual ndalon përfshirjen në lista vetëm të atyre personave që janë dënuar me vendim të plotfuqishëm të gjykatave, shkruan sot Koha Ditore.
Derisa partitë politike nuk kanë treguar nëse do të përfshihen në lista personat që kanë aktakuza, diplomatë të huaj kanë bërë thirrje që vija e kuqe të jetë aktakuza dhe dënimi i gjykatës. Zëdhënësja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Michelle Schohn, ka thënë për “Kohën Ditore” se shpresojnë që ata të cilët janë të përfshirë në afera korrupsioni mos të jenë listat e kandidatëve për deputetë.
“Siç tha ambasadori Delawie gjatë një interviste javën e kaluar se është shumë e rëndësishme që të gjitha partitë politike të kenë parasysh kë e përfshijnë në listat e tyre të kandidatëve, dhe të zgjedhin njerëz që mund të frymëzojnë rininë e Kosovës dhe që vënë në rend të parë interesat më të mira të Kosovës dhe qytetarët e saj”, ka thënë Schohn.
“Në të kaluarën ne kemi dhënë mbështetje kur zyrtarët e zgjedhur kanë dhënë dorëheqje, kur u është ngritur padi penale; ngjashëm, ne shpresojmë se të gjithë ata që janë njollosur nga korrupsioni nuk do të paraqiten në listat e kandidatëve”, ka shtuar ajo.