Redaksia e Plus Televizion, bënë me dije opinionin e gjerë , lexuesit e portalit dhe shikuesit e televizionit, se ky medium, kohët e fundit është duke u përballur me presione të vazhdueshme nga Institucionet Komunale të Vitisë. Ky presion, vije si rezultat i punës dhe informimit sa më cilësor e të paanshëm, si dhe respektimin strikt të rregullave dhe normave të lirisë së mediave nga ana e redaksisë së Plus Televizion.
Ne jemi njoftuar nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM), se ndaj nesh është duke u iniciuar një monitorim i paanshmërisë, me kërkesën e Institucioneve të Komunës së Vitisë, për të cilin jemi të përgatitur si asnjëherë më parë për ta argumentuar paanshmërinë tonë. Ne jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi këtij monitorimi dhe të certifikohemi për paanshmërinë tonë informative, në mënyrë që autoritetet komunale të Vitisë, gjegjësisht kabineti dhe Zyra e kryetarit, të bindet për objektivitetin tonë, pasi që në mënyra të ndryshme, po bëjnë presion që ne të jemi vetëm zëdhënës të pushtetit.
Duam ti bëjmë me dije autoriteteve komunale se kodi gazetaresk, nuk lejon që ne të jemi të njëanshëm dhe të mos botojmë komunikata të subjekteve tjera politike që janë opozitë. Gjithashtu duam ti bëjmë me dije Institucioneve komunale, se mediumi i pavarur informativ, nuk duhet censuruar, sepse ajo kohë tani më ka kaluar. Në kuadër të këtij presioni , ne jemi të detyruar që për të gjithë opinionin publik dhe ekskluzivisht për Institucionet e Komunës së Vitisë të publikojmë rregullat e hapësirave të Opinioneve që vijnë nga opinionist, qytetarë etj. Fjala e lirë duhet respektuar dhe ideologjia që ti mbyllet goja gjithë secilit që ka mendim ndryshe me pushtetin, është në kundërshtim me normat etike të gazetarisë, por edhe të drejtave e lirive të njeriut. Ajo që më së shumti ka ndikuar që të rritet ky presion i pushtetit ndaj redaksisë së Plus Televizion, janë opinionet dhe mendimet e kritikat e qytetarëve dhe opinionistëve të ndryshëm, që kanë në thumb Institucionet. Ky nivel i komunikimit me këtë lloj presioni, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, por nuk ndodhë as në komunat tjera të rajonit tonë ku ne mbulojmë me informacione dhe audiencë, përveç në Viti. Ne si redaksi, jemi të obliguar që të respektojmë etikën gazetareske, e që fatkeqësisht si duket është formulë e panjohur e kabinetit, por edhe të vetë kryetarit Haliti. Ju bëjmë me dije edhe juve lexues e shikues të Plus Televizion, se opinionet e qytetareve, sikur edhe lëvdatat, nuk pasqyrojnë politikën e redaksisë së mediumit tonë, dhe këtë e sqarojmë në fund të çdo shkrimi që e publikojmë. Si duket, ky sqarim nuk ka mjaftuar për Institucionet e Komunës së Vitisë. Këta të fundit, duan me çdo kusht të mbyllin gojën e secilit prej atyre që nuk mendon si ata. Kjo ka filluar të na bind se jemi përballë një sistemi totalitar që nuk njeh demokracinë dhe lirinë e shprehjes. Ne gjithashtu jemi herë pas here target i sulmeve edhe nga Opozita vitiase, e cila na konsideron si zëdhënës të Komunës së Vitisë. Por ne jemi koshient se as pushteti dhe as opozita, nuk janë kredibil për të përcaktuar paanshmërinë tonë, sepse vlerësimi i tyre natyrisht që është subjektiv dhe jo profesional, e aq më pak i besueshëm. Duhet ta njoftojmë lexuesin por edhe shikuesin tonë se çdo komunikatë e një subjekti opozitar që na ka ardhur ne redaksi dhe është botuar në portalin tonë, ka qenë pamundur që të mos marrim ndonjë telefonatë apo të kemi kërkesë nga zyrtarë të ndryshëm që ta heqim komunikatën në fjalë, që ka për qëllim kritikën ndaj Institucioneve. Ndërkohë, çdo reagim apo kundër reagim të tyre (institucioneve), ne e kemi publikuar në kohë. Ne nuk po arrijmë të kuptojmë se pse nga inati e mllefi për çdo kritik që marrin, na shohin neve si fajtor dhe na quajnë tendencioz, kurse fare nuk merren me subjektin që i kritikon përmes komunikatave. Ne e kuptojmë se i gjithë ky presion, ka për qëllim që të pasqyroj vetëm rezultatet pozitive të Institucioneve, të cilat gjithnjë i kemi përcjellë si asnjë medium tjetër, dhe plasuar si duhet, por ndërkohë jo edhe kritikat për udhëheqjen komunale sepse ai që i kritikon është i padëshiruar. Duhet kuptuar se shoqëria jonë duhet ecë para duke respektuar edhe mendimin ndryshe, e jo duke e varrosur atë siç po e dëshironi. Ne si medium i pavarur informativ, pa u ndikuar aspak nga këto sulme verbale që i bëhen gazetarëve tanë nga cilido subjekt politik, Institucion etj, do të vazhdojmë misionin e shenjtë për të informuar qytetarët e Vitisë dhe Anamoravës, për të gjitha ngjarjet e Institucioneve Komunale, problemeve të qytetarëve, komunikatat e partive opozitare dhe opinionet e qytetarëve, për të cilët si çdo medium tjetër në Kosovë, kemi një rubrikë të rezervuar për ta.
Ne jemi të gatshëm si asnjëherë tjetër që të përballemi edhe me procese gjyqësore, për të cilat kemi informacione se janë duke u iniciuar ndaj nesh me kontekst të “shpifjeve” që paskemi bërë në adresë të të parit të Komunës së Vitisë. Institucionet Komunale të Vitisë dhe partia e parë që udhëheq këtë komunë, e dijnë fare mirë se janë debitorë në raport me mediumin tonë, dhe ne mendojmë se për të gjykuar një medium për paanshmërinë, fillimisht pozicioni dhe koorporimi duhet të jetë korrekt në të gjitha raportet me këtë të fundit. Prandaj, i bëjmë thirrje autoriteteve komunale të Vitisë, që të na lejojnë të bëjmë punën tonë me ndershmëri, me paanshmëri e pa presion, sepse me vetëdije dhe përgjegjësi të plotë, po punojmë në informimin e drejtë, objektiv e të saktë, duke informuar qytetarët jo vetëm të komunës sonë por edhe në vend e jashtë Kosovës, me zhvillimet aktuale. Format e tilla të presionit në punën tonë, nuk do të na luhasin asnjëherë nga qëndrimi të cilin e bazojmë në etikën e gazetarisë së paanshme. Redaksia jonë do të nis shkresat zyrtare drejt organizatave që mbrojnë fjalën e lirë, si AGK, OSBE, Freedom House, për t’i njoftuar ato me këtë fushatë të egër kundër Televizionit tonë në prag të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme dhe atyre Lokale 2017.
Redaksia e Plus Televizion