24,11,2024

Votohet mocioni, bie qeveria dhe shpërndahet Kuvendi

Must Read

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendittë Republikës së Kosovës.

“Pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar shpërndarjen e legjislaturës së pestë”, thuhet në njoftimin e presidentit.

Vendimi i presidentit ka pasuar votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, të iniciuar nga opozita dhe mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.

Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ishte vendimtar në rastin e mocionit të opozitës. PDK i ka dhënë mbështetje mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Për mocionin kanë votuar 78 deputetë, kundër tij kanë votuar 34 deputetë dhe kanë abstenuar 3 deputetë.

Ky votim ka rezultuar me rënien e qeverisë aktuale të Kosovës, të drejtuar nga Isa Mustafa.

Vota e PDK-së për mocionin ka nënkuptuar edhe vendimin për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Vendimin e saj, PDK e ka arsyetuar me faktin se qeveria aktuale e ka humbur fuqinë e vendimmarrjes, duke ia atribuuar sidomos dështimin e procedimit për ratifikim në Kuvend të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Përcaktimin e PDK-së për rrëzimin e qeverisë dhe prishjen e koalicionit, deputetët e LDK-së, gjatë fjalimeve, e kanë cilësuar si skenar të përgatitur më herët në bashkëpunim me opozitën.

Seanca është përshkuar me debate, akuza e polemika ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, deri tani, parti partnere në koalicionin qeverisës.

Ndërkaq, në emër të parashtruesit të kërkesës së mocionit, ka folur shefja e Grupit Parlamentar të partisë Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami. Ajo ka thënë se ka shumë arsye për shkarkimin e qeverisë, duke përmendur keq-qeverisjen si argumentin kryesor.

Bajrami ka ftuar deputetët ta votojnë mocionin, duke konstatuar se ”vendi është zhytur në një krizë të thellë dhe se tani, rruga e vetme për të dalë nga kjo krizë mbetet shkarkimi i qeverisë dhe caktimi i zgjedhjeve të reja, të parakohshme”.

Në anën tjetër kryeministri, Isa Mustafa e ka cilësuar mocionin si “një pamflet politik që nuk ka asnjë bazë”.

Mocioni dhe nënshkrimi i tij nga deputetët, ka theksuar Mustafa është “një lojë politike dhe ka si qëllim fshehjen e adresave për krimet dhe aferat korruptive”.

Sipas Mustafës, sukseset e qeverisë nën udhëheqjen e tij ishin të mëdha si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.​

“Ne duhet ta respektojmë jetën dhe demokracinë parlamentare”, tha Mustafa, duke e parë disponimin në Kuvend që Qeveria të shkarkohet.

Ndërkaq, Zenun Pajaziti, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se këto javët e fundit kishte disa përpjekje të PDK-së që të bashkëbisedojnë me LDK-në për problemet dhe proceset aktuale.

Ai, që në fillim të seancës paralajmëroi se PDK ka vendimin për rrëzimin e qeverisë dhe prishjen e koalicionit me LDK-në.

“I ftoj deputetët e PDK-së që të votojnë për vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, tha Pajaziti.

Sipas tij, Isa Mustafa në prezantimin e tij, ishte i njëanshëm, ngase shumë të arritura, siç tha ai, janë përparime të arritura në vazhdimësi.

Partitë opozitare e kanë ‘shënuar’ këtë ditë si një fitore ndaj pushtetit. Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se ky koalicion ishte i dështuar nga fillimi ngase ishte arritur vetëm për postet e liderëve të partive politike të PDK-së dhe LDK-së.

“Kjo është aq qeveri e mjerueshme sa nuk ke nevojë ra rrëzosh sepse kjo është bërë gati ta rrëzojë vetveten”, tha Konjufca.

Përderisa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se po shpreson që kjo qeveri dhe kryeministri aktual, Isa Mustafa të largohen përgjithmonë.

“Meqë kryeministri e lëshoj sallën, kolltukun e nuk mundi të duroj, dhashtë zoti që të mos kthehet më në këtë Kuvend”, ka thënë Lekaj.

Gjatë kohës sa Konjufca po mbante fjalimin para deputetëve, kryeministri Mustafa u largua nga salla e Kuvendit.

Mbi bazën e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, Qeveria e Kosovës, tashmë në largim, ishte themeluar më 9 dhjetorë të vitit 2014, me 73 vota të deputetëve. Marrëveshja e koalicionit përfshinte edhe Listën Serbe dhe partitë e komuniteteve jo-serbe.

Ky koalicion ishte ndërtuar mbi parimet e ndarjes së posteve dhe pushtetit, që nënkuptonte që PDK të merrte nën udhëheqje postin e presidentit dhe kryetarit të Kuvendit, kurse LDK atë të kryeministrit.

Përveç pikave programore për zhvillim ekonomik, zbutjen e papunësisë dhe krijimin e mirëqenies për qytetarët, kjo qeveri kishte marrë edhe zotime ndërkombëtare siç ishin: themelimi dhe nisja e punës së Gjykatës Speciale për krime lufte, vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve, me theks në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe ndërkohë, mori edhe zotimin për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kushte për liberalizimin e vizave. (REL)

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohen tre persona në Ferizaj, njëri për vjedhje dhe dy për pengim në detyrë të zyrtarëve policor

Më datën 21.11.2024 rrth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në dy...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img