Me një manifestim të pasur të premten në fshatin Sojevë është shënuar përvjetori i dëshmorit të kombit Ramadan Rexhepi-Adidasi si dhe është shënuar edhe dita e shkollës në këtë fshat që mban emrin e dëshmorit.
Të pranishëm në këtë manifestim ishin familjarë të dëshmorit, drejtues të qeverisë lokale të Ferizaj, bashkëluftëtare të dëshmorit dhe mysafirë të tjerë.
Mysafirëve me një fjalë rasti i ka përshëndetur, nënkryetari i komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, i cili është shprehur se si pushtet lokal do të bëjnë gjithçka që është e mundur që t’ju dilet në ndihmë shkollave të qytetit, për çka do që ato kanë nevojë, në mënyrë që edhe sukseset e nxënësve të mos mungojnë. Po ashtu ka folur edhe fjale miradie edhe për dëshmorët e kombit Ramadan Rexhepi-Adidasi dhe Zejnullah Zejnën.
Ndërsa, drejtoresha e kësaj shkolle Arta Tahiri, ka folur për sukseset e arritura të nxënësve të kësaj shkolle, por edhe për problemet dhe vështirësitë me të cilat po përballen.
Në fund është shfaqur edhe një program i pasur kulturo-artistik, ndërsa janë vendosur kurora të freskta me lule tek bustet e dëshmorëve Ramdan Rexhepi-Adidasi dhe Zejnullah Zejna.