Pas një sëmundje të shkurtër ka ndërruar jetë kryetari i klubit të gazetarëve profesionist “Haki Braha” në Ferizaj, Skënder Idrizi. Me rastin e vdekjes së tij është organizuar mbledhje komemorative në të cilën merrnin pjesë drejtues të qeverisë lokale të Ferizajt, shokë dhe familjarë të ndjerit.
Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar drejtori i shkollës fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj, Milazim Dërguti, ku i ndjeri punoi me vite të tëra si mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në këtë komemoracion në emër të gazetarëve, të pranishmit i ka falënderuar gazetari Afrim Demiri, i cili theksoi se jeta dhe veprimtaria e Skënderit, do të jetë gjithnjë një rrugëtim i mirë për të gjitha gjenerata e reja.
E nga ana tjetër kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se ndarja e hershme dhe e papritur nga jeta e e Skënderit Idrizit ka tronditur thellë të gjithë qytetarët ferizajas.
“Nuk e kemi lehtë të pajtohemi me humbjen e tij, sepse deri dje ishim bashkë me të, ndanim së bashku mendime dhe opinione për aktualitetin, për punën, për jetën. Skënder Idrizi ka qenë njeri me të cilin ta kishte enda të bisedosh për të gjitha çështjet, sepse atë përherë e karakterizonte maturia, urtësia dhe mendimi i pjekur. Tashmë jemi të vetëdijshëm se kemi humbur një mik, një njeri me virtyte e cilësi të larta njerëzore e profesionale, një arsimtar veteran dhe një gazetarë objektiv”, ka thënë kryetari Svarqa. AI tutje ka shtuar se prej sot duhet të mësohemi së në mesin tonë nuk ta kemi më mësimdhënësin, gazetarin, mikun dhe mbi të gjitha, njeriun shembullor Skënder Idrizin.
“Duhet të mësohemi të jetojmë vetëm me kujtimin për të. E kujtimet për Skënderin janë nga më të mirat dhe nga më të çmuarat, sepse në mendjen dhe në shpirtin e tij, duket se ka banuar vetëm e mira, vetëm fisnikja njerëzorja”, ka potencuar kryetari Svarqa. Në emër të familjes të pranishmit i falenderoi vëllau i te ndjerit Besim Idrizi.
Varrim i te ndjerit bëhet në orën 16:30 në Prelez të Jerlive.