Njëri nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja është shprehur se personalisht është pro këtij mocioni por duke mos treguar qëndrimin e plotë të partisë.
I kontaktuar nga Indeksonline, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, njëherësh këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, Faton Abdullahu ka theksuar se është në të drejtën e secilit që merret me çështje të tilla të bëjë një propozim të ngjashëm por që Qeveria sipas tij është e përkushtuar që t’i japë më shumë vendit.
“Ka procedura të përcaktuara saktë për çështje të tilla dhe ato mund të zbatohen në çdo kohë përderisa respektohen ligjet dhe Kushtetuta. Është në të drejtën e atyre që duan të merren me çështje të tilla, si opozitar, analistë apo medie, por ne si Qeveri kemi orientim dhe përkushtim tjetër”, ka thënë Abdullahu.
Sipas tij e gjitha kjo nënkupton angazhim për të jetësuar programin qeveritar, me qëllim të sigurimit të një jete më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe një perspektivë më progresive për Kosovën.
Duhet përkujtuar gjithashtu se gjatë ditëve të fundit ideja për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme ka qenë mëse e pranishme në media she në spektrin politik.
Ndryshe nga opozita dhe disa deputetë të PDK-së të cilët gjatë gjithë kohës janë deklaruar pro idesë për zgjedhje të përgjithshme, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka parë të arsyeshme një gjë të tillë, duke theksuar se nuk ka nevojë njëherë për zgjedhje të përgjithshme në vend.