Ferizaj.05.04.2017. Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, z. Agron Bajraktari dhe drejtori i qendrës trajnuese “Infinit”, z. Mahmaud Shakef kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila ka për qëllim krijimin e mundësive të reja për mësimdhënësit dhe studentët e të dyja institucioneve.
Sipas Marrëveshjes së nënshkruar, Qendra “Infinit” ofron njëzet teste, një bursë nga “Infinit” nga programet e Autodesk-ut për studentët e UShAF, me ç’rast studentët do të mund të marrin certifikata të njohura ndërkombëtare. Testi mund të shfrytëzohet për gjashtë programet e Autodesk-ut: AutoCAD, Inventor, Revit, Maya, 3ds Max dhe Fusion 360. ndërsa, në kuadër të bursës, studentët do të marrin edhe një test praktik për testin që ata zgjedhin t’i nënshtrohen, si dhe workshop informues për dy module: Autocad dhe 3ds Max.
Rektori Bajraktari theksoi se nënshkrimi i kësaj Marrëveshje hapë mundësi të reja për bashkëpunim me Qendrën “Infinit”, ndërsa për studentët e UShAF është një mundësi e mirë për të fituar njohuri të reja në programe të avancuara dhe të dobishme për profesionin e tyre.
“Marrëveshjet si kjo i lehtësojnë edhe përpjekjet e mëdha të Universitetit për të ecur drejt zhvillimit dhe cilësisë, në mënyrë që të nxjerrim kuadro të përgatitura, të cilat më pas do të zhvillojnë ekonominë e vendit”, tha Rektori.
Ndërsa, drejtori i Qendrës “Infinit”, z. Shakef u shpreh i kënaqur që do të mund të bashkëpunojnë me Universitetin e vetëm të shkencave të aplikuara në Kosovë dhe do të mund të japin kontributin në përgatitjen e studentëve të dalluar të këtij universiteti.
Infinit Qatar Training Center është një qendër që ofron trajnime, aftësim dhe edukim profesional përmes kurseve të gjuhëve të huaja, trajnimeve në fushën e teknologjisë, CAD-it, dizajnit, menaxhimit, marketingut, kontabilitetit si dhe shumë kurseve të tjera.
Pjesë e delegacionit të qendrës trajnuese “Infinit” ishin: z. Fahrudin Hashani – Sekretar i qendrës, z. Shkelzen Shabani – Trajner i AutoCAD-it dhe znj. Ilire Raifi – Koordinatore e qendrës.