Organizata ‘’Demokracia Studentore’’, në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Ferizajt, mbajti një aktivitet simbolik kundër diskriminimit të gruas dhe gjuhës fyese, të cilën, sipas tyre, e ka përdorur kryetari Muharrem Svarqa ndaj asambleistes Kristina Gashi-Bytyqi.
Kryetari i organizatës “Demokracia Studentore”, Mexhid Ramusa, tha se këtë aktivitet simbolik e kanë organizuar në shenjë kundërshtimi ndaj diskriminimit të grave dhe për t’i treguar kryetarit Svarqa se sjelljet e tij janë të papranueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Ky gjest duhet demaskuar dhe gjykuar, gjithashtu duhet nxitur shkollimi i femrës dhe të punohet sa më shumë drejt avancimit të saj sepse nëse emancipimi i gruas nuk është arritur në shkallën e duhur, atëherë mund të vlerësohet se nuk kemi mundur ta ndërtojmë atë popull në skemën e një shteti të zhvilluar. Zhvillimi dhe emancipimi i gruas në shoqërinë e sotme moderne i jep imazh shtetit se në cilën shkallë të kulturës jemi si popull apo si komb”, tha Ramusa.
Ai ka shprehur shqetësimin për sjelljen e zyrtarëve komunalë, të cilët, sipas tij, ‘’në mënyrë agresive e kanë shqyer pankartën dhe kanë sulmuar direkt demokracinë’’.