Në 18 vjetorin e rënies është përkujtuar dëshmori i kombit Mejdi Xhaferri dhe është shënuar dita e shkollës në fshatin Mirosalë.
Në këtë përkujtim mori pjesë nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Faruk Guri, drejtori i Urbanizmit, Faik Grainca, familjarë, miq si dhe bashkëluftëtare të dëshmorit Mejdi Xhaferri.
Me këtë rast nënkryetari i Komunës, Xhavit Zariqi, ka vlerësuar tejet lartë veprën heroike të të gjithë dëshmorëve, duke veçuar në ketë rast edhe sakrificën e dëshmorit Mejdi Xhaferri.
“Dëshira e jona është që nga këtu, të dalin kuadro që do të udhëheqin me institucionet e Republikës së Kosovës, shtet që është formuar falë gjakut të derdhur të dëshmorëve të lirisë, të atyre që sakrifikuan jetën dhe ne tashmë po e gëzojmë lirinë. Secila kohë, dhe epokë i ka dëshmorët dhe heronjtë e vet, ata që kapën armët për të sjellë lirinë, në kohën e robërisë treguan vullnetin e tyre për atdhedashuri, kurse tani kemi nevojë për ata që punojnë për ndërtimin e shtetit, për ata që kontribuojnë për ngritjen e institucioneve dhe forcimin tyre, sepse një shtet të brishtë siç e kemi ne sot nuk ka perspektive për rininë dhe nuk arrihet ajo për të cilën dhanë jetën dëshmorët”, ka thënë nënkryetari Zariqi.
Për jetën dhe veprën e dëshmorit Mejdi Xhaferri, ka folur drejtori i shkollës së fshatit Mirosalë, Naim Bytyqi. Ai po ashtu ka folur edhe për investimet që janë bërë në këtë shkollë, por edhe për problemet dhe vështirësitë me të cilat përballen.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe kryetar i Shoqatës së Familjeve të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gafurr Bytyqi.
U bë e ditur se shkolla “Mejdi Xhaferri” numëron rreth 300 nxënës. Me këtë rast është shfaqur edhe një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle. Pran bustit të dëshmorit janë vendosur edhe kurora të freskëta me lule.