Në ditën e dytë e Konventës së Tetë Zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës, lideri i saj Kadri Veseli ka folur për arriturat e shtetit të Kosovës dhe problemet që kanë qytetarët e këtij vendi.
Veseli, në fjalën e tij para anëtarëve të PDK-së, ka thënë se partia që drejton mbetet partia që ka më së shumti votues. “Ne jemi gati për fillimin e ri. Urime suksese në fitore”, ka thënë Veseli, raporton “Epoka e re”. Ai ka thënë se për një javë, prej kur ka nisur turin e tij të dëgjimit ka parë hendekun e thellë në mes asaj çka duan qytetarët dhe çka bëjnë politikanët. “Kam dëgjuar hallet e tyre dhe kam vendosur që të mos pres. Dua një Kosovë që rrezaton Kosovë shpresë dhe siguri për të ardhmen”, ka thënë Veseli duke shtuar se korrupsioni është i patolerushëm.
Kryetari i PDK-së ka përcjell edhe një mesazh për të rinjtë. “Kam një mesazh për të rinjtë, Kosova është vendi juaj dhe të ngriheni. Ëndrrat e juaja janë ëndrra për të ardhmen e shtetit tonë. Unë do të jem çdoherë dhe çdokund përkrah jush. PDK-ja është e juaja si gjithë Kosova”, ka thënë Veseli.
Duke folur për transformimin e FSK-së në ushtri, Veseli ka thënë se ky proces do të përfundojë. “Kosova do të bëhet me ushtri”, është shprehur Veseli.