Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë vitit 2016, ka pasur 22.294 të punësuar të ri, “që kanë paguar tatimin në pagë dhe kontributin pensional.”
Ai ka thënë se kjo shifër është trefish më e lartë se në vitin 2014, kur sipas tij, ka pasur të punësuar rreth 7500 persona.
Javë më parë, kryeministri Mustafa kishte thënë se gjatë vitit 2015 dhe 2016 në Kosovë janë punësuar rreth 40 mijë njerëz.
E deputeti i Vetëvenmdosjes, Faton Topalli që është edhe në Komisionin për Mbikqyrjen e Financave thotë se ka një diskrepancë mes shifra të prezantuara nga Ministri Hoti dhe Kryeministri me gjendjen në teren sa i përket punësimit.
“Fakti që një numër më i madh qytetarësh paguajnë tatim për të ardhurat dhe kontribute për pensionin, nuk është argument se është shtuar numri i të punësuarve. Dihet që në Kosovë informaliteti në ekonomi kalon shifrën prej 30%. Numri e rritjes së paguesve të tatimit dhe kontributeve për pensionet mund ta interpretojmë edhe si zvogëlim të vogël të informalitetit në ekonomi, por jo si rritje të punësimit. Pra shifrat lënë shumë vend për interpretime të ndryshme”, thotë Topalli për Periskopi.com
Sipas tij, diskrepanca mes shifrave të prezantuara për punësim dhe gjendja ekonomike e familjeve vërteton që në Kosovë nuk ka rritje të punësimit.
“Sikur të kishim 40 000 të punësuar, kjo do të vërehej tek mirëqenia e qytetarëve e cila dy viteve të fundit jo vetëm që nuk është përmirësuar, por është rënduar edhe më shumë. Vazhdimi i pa kontrolluar në migrim është një matës tjetër që tregon se nuk ka rritje të punësimit. Por edhe sikur shifrat të ishin të vërteta ato nuk i afrohen as përafërsisht premtimeve që ka dhënë Kryeministri Mustafa për 120 000 të punësuar brenda mandatit të tij qeverisës”, thotë Topalli./ Periskopi