Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, ka paralajmëruar një protestë me fillim nga mesi i javës së ardhshme pas mospërmbushjes së një varg kërkesash drejtuar instituicioneve të Kosovës.
Paralajmërimi i protestës u bë në një konferencë me gazetarë të sindikalistëve të shëndetësisë,
Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, i dha pak kohë më parë një afat prej dy javësh Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që të përmbushë një varg kërkesash përfshirë edhe rritjen e pagave për punonjësit shëndetësorë.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, i tha Radios Evropa e Lirë se disa nga kërkesat e tyre janë rritja e pagës prej 15 për qind, përmirësimi i kushteve të punës, rregullimi i statutit të Qendrave të Mjekësisë Familjare e që tash për tash janë nën ombrellën e Kuvendeve Komunale.
“Kemi pritur dhe nuk ka pasur refleksion nga Qeveria e Kosovë, përveç nga komisioni parlamentar i shëndetësisë dhe Minsitria e Administratës Publike. Ne kemi pritur që të na ftojnë në takime Ministri i Shëndetësisë dhe është ulur niveli i bisedës në zëvendësministra, dhe kjo na ka bërë që të marrim vendimin që javën tjetër të fillojë protesta paralajmëruese”.
“Andaj ne të mërkurën me datë 29 mars nga ora 8 deri 9 të bëhet protestë në të gjitha nivelet, përfshirë edhe emergjencën”, tha Syla.
Në anën tjetër, Tevide Ymeri, kryetare e sindikatave në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Ferizajt, ka thënë se qëllimet e protestës janë të përbashkëta, si të nivelit primar sekondar e terciar.
Por, kërkesa specifike e Qendrave të Mjekësisë Familjare, është që këto institucione të jenë nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi problemet rreth politikave shëndetësore janë të panumërta.
“Qendrat e Mjekësisë Familjare janë lënë të udhëhiqen nga Kuvendet Komunale, dhe kemi përherë problem. Problemet janë politikat shëndetësore. Ne nuk jemi nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe me politikat lokale ne kemi problem, pasi edhe drejtorët zgjidhen prej komunës e që edhe kjo është politike”.
“Pastaj, Ministria e Shëndetësisë nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me këto institucione, pra me Qendrat e Mjekësisë Familjare,dhe përmes Kuvendeve Komunale komunikohet me ne, e që është e vështirë”.
Ndërkaq, Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se kushtet e punës në institucione publike shëndetësore janë shumë të rënda.
“Ne jemi të gatshëm dhe stoik në kërkesat tona. Gjendja e mjekëve sot në Kosovë, në aspektin financiar është nën nivel. Rroga bazë e një mjeku specialist është rreth 60 euro. Kushtet e punës janë mizerje me plotë kuptimin e fjalës. Ne improvizojmë dhe improvizimet janë shkelje në mjekësi dhe ato mund të trajtohen nga gjykatat”.
Aktualisht as Qeveria e Kosovës dhe as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë janë deklaruar për çështjen e protestës.
Protestat e paralajmëruara të punonjësve të shëndetësisë vijnë pas një periudhe, siç thonë sindikalistët, të lënies pas dore të kësaj fushe. Qeveria e Kosovës pati paralajmëruar një ligj të ri për pagat, duke e përfshirë edhe sektorin e shëndetësisë, por ai u tërhoq pas një varg vërejtjesh. (REL)