Në kuadër të agjendës lobuese, në ditën e parë të qëndrimit në New York, ministri Hoxhaj ka takuar ministrin e Jashtëm të Armenisë, Edward Nalbandian dhe ambasadorët e akredituar në OKB, të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.
Duke i informuar për arritjet e Kosovës në shtet ndërtimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, Hoxhaj ka kërkuar nga përfaqësuesit e këtyre shteteve që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Kryediplomati kosovar përveç kërkesave për njohje ka shprehur interesimin për thellimin e bashkëpunimit me këto vende në fushat e interesit të përbashkët.
“Në ditën e parë të vizitës sime në New York, në takimet që zhvillova, kam kërkuar nga përfaqësuesit e shumë vendeve jo-njohëse ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe u kam shprehur interesimin për bashkëpunim jo vetëm në rrafshin bilateral por edhe në fushat e tjera të interesit të përbashkët. Qëllimi ynë është që ta rrisim numrin e njohjeve për Kosovën, gjë e cila do të na e lehtësojë anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare në rast të aplikimit”, ka thënë Hoxhaj.
Gjatë ditëve të qëndrimit në New York, Hoxhaj ka takuar edhe ambasadorët e vendeve mike, të Francës dhe Italisë si dhe udhëheqësit e Kongresit Botëror të Hebrenjve.
Hoxhaj pas takimeve të tjera në New York do të ketë vizitë edhe në Washington.