Nesër në Galerinë e Arteve në Ferizaj, do të bëhet hapja e ekspozitës së famshme “Past is now”, e cila, para rreth dy vitesh është hapur për herë të parë në kuadër të festivalit FOTODOKS në Munich të Gjermanisë.
Festivali Fotodoks në Munich, njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme të fotografisë dokumentare bashkëkohore në Gjermani, ia ka kushtuar në vitin 2015 ekspozitën kryesore “Past is now” (e kaluara është tash) hapësirës së ish Jugosllavisë, duke eksploruar kështu gjendjen e tanishme në regjion dhe “potencialin e së kaluarës në të tashmen”.
Në ekspozitë që hapet nesër në orën 18:00 marrin pjesë artistë nga regjioni i ish-Jugosllavisë dhe nga vende të tjera të Evropës, të cilët përmes ekspozitë s “Past is now” japin një pamje të proceseve komplekse shoqërore-politike me të cilat ballafaqohen shoqëritë e regjionit të ish Jugosllavisë në këto njëzet vitet e fundit.
Ata po ashtu shtrojnë pyetje për dhe rreth rolit të fotografisë dokumentare, respektivisht, mënyrës përmes së cilës fotografia bashkëkohore shënon ndryshimet dhe lëvizjet shoqërore, se si pozicionohet dhe si e gjen shprehjen e vet ndërmjet fakteve dokumentare, nostalgjisë dhe arkivimit. Në të tanishmen gjithmonë ndjehet edhe e kaluara. Ndonjëherë ajo është model, ndonjëherë ajo lë gjurmë të pashlyera e ndonjëherë ajo ngelet vetëm një kujtim i zbehtë. E tashmja ndonjëherë është edhe thjesht përsëritje apo definicion i ri i të kaluarës.
Autorët kanë shfrytëzuar arkivat ekzistuese ose kanë krijuar arkiva të reja, kanë shkruar gjurmëve të historisë, ose kanë gjurmuar sterotipet dhe mitet kulturore, janë kthyer në njëzetepesë vjetorin e bashkimit të Gjermanisë ose në njëzet vjetorin e marrveshjës së paqes të Dejtonit.
Ekspozita e fotografisë dokumentare “Past is now” në Ferizaj hapet në bashkëpunim me Institutin Goethe, Komunën e Ferizajt – departamentin për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Qendrën Multimedia nga Prishtina. Në hapje të ekspozitës do të flas Ambasadorja Gjermane, znj. Angelika Viets, kryetari i komunës së Ferizajt, z. Muharrem Sfarqa si dhe kuratori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Zeni Ballazhi. Artistët pjesëmarrës: Jaka Babnik, Roman Bezjak, Collaboration Project, Jerg Glesher, Zijah Gafiq, Ibro Hasanoviq, Tanja Kernvajs, Borut Krajnc, Sasha Kral, Tom Liht, Ane Morgenshtern, Vladimir Milandinoviq, Merlin Naxh-Torma, Dragan Petroviq, Hrvoje Slovenc, Katja Shtuke e Oliver Ziber, Josip Broz Tito dhe Mihael Veseli.
Në kuadër të ekspozitës “Past is now” me datë 3 shkurt do të mbahet edhe diskutimi i hapur me temën “Mënyrat e reja për të reflektuar ndaj realitetit”.
E mërkurë, 25 janar, ora 18:00
Vendi: Galerinë e Arteve – Ferizaj,