Drejtori i Fondacionit ‘Rockefeller Brothers’ për Ballkanin Perëndimor, Haki Abazi ka komentuar dialogun Kosovë-Serbi në përgjithësi dhe ngritjen e murit në veri të Mitrovicës si reflektim i efektit të këtyre bisedimeve.
Abazi i ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, vlerëson se ky mur është vetëm një dëshmi se Kosova nuk është faktor në dialogun tre palësh që filloi në vitin 2011.
“Muri është realisht një rikonfirmim se në palët negociuese, Kosova nuk është aktor. Përderisa Vuçiqi dhe Rama bisedojnë për të gjitha çështjet e mundshme që është zhvillim jashtëzakonisht pozitiv në ndërtimin e marrëdhënieve në raporteve në rajon. Në anën tjetër, muri tregon që të gjitha përkushtimet për marrëveshje janë blerje e kohës për një situatë të re që mund të krijohet ku duhet të rishikohet statusi i Kosovës, kundrejt Serbisë dhe blerje e kohës që Serbia të mos ec në mënyrë progresive duke i përmbushur kërkesat e Unionit Evropian për hapjen e pakove për reformë”, tha Abazi.
Në intervistën për jeta Xharrën, ai tha se shteti i Serbisë dhe Lista Serbe, si pjesë e Qeverisë së Kosovës, po e përdorin këtë dialog për të vënë pengesa në rrugën e Kosovës për shtetndërtim.
“Ajo çfarë ka ndodhur me murin është se janë kthyer barrierat që ishin bërë prej dheut dhe gurit, në beton e cila tregon sinjalin që Serbia dhe serbët duke e përfshirë edhe lista ‘Srpskan’ e kanë shumë të qartë që procesi i Brukselit është sa për sy e faqe dhe për të krijuar hapësirë që të vazhdohet sfidimi i shtet ndërtimit në Kosovë”, deklaron Abazi.
Haki Abazi analizoi edhe zhvillime të tjera në vend gjatë vitit 2016 duke përfshirë ngjarjet në veri të Mitrovicës, korrupsionin, rezultatet e testit PISA.