Studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, kanë pasur mundësinë e veçantë që të dëgjojnë një ligjëratë shumë interesante nga nënpresidenti i “T-Mobile Austria”, z. Driton Emini, i cili ka folur para tyre për disa tema rreth botës së teknologjisë.
Fillimisht, z. Emini u prit nga menaxhmenti i lartë i Universitetit, ndërsa rektori Prof. Dr. Agron Bajraktari e falënderoi ekspertin gjilanas që ka pranuar të ndajë eksperiencën e tij në kompaninë më të fuqishme austriake me studentët e UShAF.
Ndërsa, z. Emini falënderoi menaxhmentin e Universitetit për ftesën për të ligjëruar para studentëve, pasi që theksoi se është hera e parë që ai mbanë një ligjëratë në Kosovë.
Para studentëve, z. Emini ka prezantuar punën e gjigantit të telefonisë mobile “T-Mobile Austria”, mënyrën se si funksionon kjo kompani, projektet madhore që i ka realizuar ose është në proces, vështirësisë dhe sfidat përgjatë viteve.
Po ashtu, z. Emini iu shpjegoi studentëve rreth të rejave të menaxhimit, teknologjisë informative, transformimeve digjitale, zhvillimin përtej 4G dhe tema të tjera me interes.
Nënpresidenti i “T-Mobile Austria”, ndër të tjera, përmendi edhe ndikimin që kanë pasur në telefoninë mobile rrjetet sociale dhe platformat e ndryshme digjitale si: Viber, WhatsAp, e të tjera.
Driton Emini është nga qyteti i Gjilanit dhe ka migruar qysh në moshën 15 vjeçare në Gjermani, e më pas në Austri, ku prej disa vitesh punon për “T-Mobile Austria”, e cila hyn në mesin e katër kompanive më me renome në botë.