Në vitin 2017, qeveria e Ferizajt po synon t’i ketë të gatshme edhe dy dokumente të planifikimit hapësinor, planin zhvillimor komunal dhe hartat zonale.
Siç tha drejtori i urbanizmit dhe mjedisit, Faik Grainca, krahas hartimit të këtyre dokumenteve, kanë në plan edhe ngritjen e koeficientit të ndërtimit, kërkesë kjo e kahershme e ndërtuesve dhe atyre që tokat i japin me koncesion.
Drejtori Grainca tha se akoma nuk janë përcaktuar për shkallën e ngritjes së koeficientit të ndërtimit, por tha se parashikimet janë që koeficienti të ngritet qind për qind.
Teksa raportuan për punën pothuajse njëvjeçare, drejtues të urbanizmit në Ferizaj shpalosën edhe aspekte të tjera të punës. Bënë me dije se gjatë kësaj periudhe kanë lëshuar 19 leje për ndërtim kolektiv, 39 leje për ndërtim individual dhe 8 leje mjedisore. Thanë gjithashtu se kanë bërë 20 rrënime të objekteve të ndërtuara pa leje.