Familja Xhokli nga Ferizaj, nga sot nuk do ta ketë më brengë strehimin, nga se falë shoqatës humanitare “Feniks”, dhe “Eli-Ab”-it, kjo familje u bë me kulm mbi kokë.
Përfituesit e kësaj shtëpie u shprehën falënderues ndaj donatorëve duke thënë se kanë kërkuar ndihmë nëpër institucionet komunale mirëpo pa sukses.
Kryetari i shoqatës humanitare “Feniks”, Milaim Jashari tha se ndjehen mirë kur shohin që familjeve nevojtare po ua kthejnë shpresën për jetë.
Ndërsa drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Shyqeri Mehmeti, tha se në regjistrin e kësaj qendre figurojnë mbi 70 familje të cilat kanë nevojë për strehim më të sigurt dhe bëri apel tek qytetarët që të ndjekin shembullin e qendrës “Eli-Ab” dhe ‘’Feniks’’-it.
Shoqata Humanitare ‘’Feniks’’, vetëm gjatë këtij viti ka ndërtuar 22 shtëpi, ku 6 prej tyre kanë qenë të financuara nga ‘’Eli-Ab’’ , transmeton Televizioni Tema.