Nxënës, prindër, punonjës dhe banorë të Jezercit, shënuan sot 71-vjetorin e punës së shkollës në këtë fshat, e cila ishte hapur menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ( në vitin shkollor 1945-1946), me kontributin e arsimdashësit të shquar të kësaj ane Munish Ramadani.
Drejtori i shkollës Burim Ukzmajli, u ka shfaqur mirënjohje të gjithë mësimdhënësve dhe punëtorëve të arsimit, të cilët ndër breza kontrubuan për arsimimin dhe edukimin e popullatës së kësaj ane.
Ndërsa kryetari i Komunës Muharrem Svarqa, i ka shprehur respekt këtij vendbanimi, i cili ka dhënë aq shumë për vendin tonë, duke u shquar për shembullin më të mirë të qëndresës, sakrificës dhe heroizmit për liri. Ai ka konstatuar se zhvillimi i shkathtësive për punë, aplikimi sa më shumë që të jetë e mundur i punës praktike dhe përshtatja e programeve mësimore me nevojat e tregut të punës, janë nevoja të ngutshme për arsimin e vendit tonë.
Nxënësit e shkollës “Skënderbeu” të Jezercit kanë shfaqur para të pranishmëve një program me këngë, valle e recitime. Kurse drejtoria e shkollës ka nderuar me mirënjohje punëtorët më të vyeshëm, për kontributin shumëvjeçar dhënë mbarëvajtjes së mësimit.