I pyetur mbi vijueshmërinë e marrëdhënieve politike midis Shqipërisë dhe Greqisë, Rama u shpreh se, marrëdhëniet mes dy vendeve janë të një rëndësie të madhe strategjike.
“Ka qenë dhe mbetet një linjë e palëvizshme e politikës tonë të jashtme, partneriteti strategjik me Greqinë, por nga ana tjetër është po aq e vërtetë, që këto marrëdhënie sot kanë nevojë të ngrihen në një tjetër nivel, duke kapërcyer problemet që na shfaqen herë pas here si pengesa të mbetura të së shkuarës”, tha shefi i qeverisë shqiptare.
I pyetur për shkollimin e fëmijëve emigrantë në gjuhën shqipe, Rama tha se do të mbështesim të gjitha nismat e komuniteteve shqiptare që ndodhen në vende të ndryshme të botës për të mësuar gjuhën shqipe. “Tani në platformën e RTSH ka një emision i veçantë që do t’i kushtohet mësimit të gjuhës shqipe, si një mënyrë për të qenë sa më afër me ju, për këtë çështje”, tha ai. Në vijim të bashkëbisedimit me të pranishmit, kreu i qeverisë shqiptare ka folur edhe për bashkimin shqiptar, i cili sipas tij duhet të realizohet në kuadër të kontekstit evropian.
“Bashkimin tonë duhet ta shohim si një projekt të realizueshëm në këtë kontekst. Jemi në kushtet që mund të ndërtojmë një hapësirë të përbashkët 100 për qind me Kosovën. Hapësira që na jep projekti evropian është e jashtëzakonshme. Unë jam optimist për të ardhmen e shqiptarëve”, ka thënë Rama.
“Unë jam optimist për të ardhmen e shqiptarëve dhe besoj i bindur se shqiptarëve e ardhmja u ka rezervuar vërtetë një jetë dhe një mënyrë të jetuari së bashku ashtu siç e meritojnë dhe siç u takon fëmijëve tanë”, theksoi më tej Rama.
.