Bashkim Hysenaj u dënua me 6 muaj burg dhe 400 euro gjobë për kultivim marijuane në Pejë.
Lajmin për dënimin e Hysenajt e konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë Selvane Bukleta.
“Për të pandehurin Bashkim Hysenaj në çështjen gjyqësore të evidentuar në regjistrat e Gjykatës Themelore të Pejës me numër P.nr.228/16 është marrë aktgjykim dhe atë dënim me burg në kohëzgjatje prej 6(gjashtë) muaj,” tha Bukleta.
Ajo tregoi se përveç burgimit, Hysenaj u dënua edhe me gjobë, ndërsa bimët narkotike të gjetura në vendin ku ai i kultivonte do të asgjësohen.
“Dënim me gjobë në shumën prej 400( katërqind) euro dhe dënim plotësues konfiskimi i 250(dyqind e pesëdhjetë) bimëve narkotike të llojit marihuana, të cilat pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi kanë për t’u asgjësuar,” shpjegoi Bukleta.
Në Rubrikën “Policia” të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në muajin shtator u shfaqën pamjet ekskluzive të zbulimit të laboratorit të marijuanës në Pejë.
Në këto pamje u shfaqën qindra bimë narkotike bashkë me një sistem të sofistikuar të ajrosjes dhe ujitjes. /Kallxo.com
.