Paraprakisht, në një reagim të shkurtër për “Panoramën”, Boçi ka mohuar ta ketë kontaktuar ndonjëherë gruan që ka kryer denoncimin pranë emisionit investigativ dhe se e hedh poshtë me neveri një bisedë të tillë.
Ai deklaroi se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore. Boçi, i moshës 55vjeçare, është babai i dy vajzave të rritura, ku më e madhja po celebronte martesën. Në ceremoninë e mbajtur dje ishin të ftuar kolegë të gjyqtarit, si dhe të vajzës së tij, e cila është me detyrë shefe finance në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës.
Burime të Balkanweb thanë mbrëmë se kryegjyqtari Boçi kishte ftuar në ceremoni prokurorë dhe gjyqtarë të Gjirokastrës, si dhe drejtues të lartë të Policisë së këtij qarku. Por mësohet se ata nuk kanë shkuar pasi kishin dijeni për çështjen në fjalë. Guximtar Boçi është gjyqtar prej rreth 20 vitesh, ndërsa prej tri vitesh u emërua kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë në qytetin e Gjirokastrës.
Gjatë kryerjes së detyrës ai është vlerësuar disa herë për punën. Vetëm tri vitet e fundit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mësohet se e kavlerësuar tre herë Boçin nga ana profesionale. Kështu, më 11 tetor 2013 KLD ka miratuar një raport të vlerësimit profesional e etik të tij. Më pak se një vit më vonë, më 21 korrik 2014, u bë sërish një vlerësim dhe më i fundit ishte ai i 27 majit 2016.
Në këtë datë, KLD ka miratuar një vlerësim të Inspektoratit për Boçin në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Megjithatë, pak kohë pas publikimit të skandalit, ministri Manjani deklaroi se do t’i kërkojë KLDsë shkarkimin si gjyqtar të Guximtar Boçit. Pas ngjarjes, nuk ka pasur asnjë reagim nga kolegët e tij në Gjirokastrës, veç asaj që u bë nga Tirana, nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.
.