Ambasadori amerikan Greg Delawie përdori fjalë të Presidentit Barack Obama për të nxitur institucionet kosovare që gratë të trajtohen si duhet.
“Presidenti Obama ka thënë se mënyra më e mirë për të parë nëse një vend do të zhvillohet është të shikoni se si i trajton gratë,” tha Delawie në konferencën për të drejtat pronësore të grave të organizuar nga USAID-i.
Ambasadori amerikan tha se gratë duhet të jenë pjesë e fuqishme e shoqërisë.
“Përjashtimi i grave nga mundësitë dhe përparimi duhet të ndalojë, gratë duhet të jenë pjesë e fuqishme e shoqërisë,” tha Delawie.
Ai deklaroi se problem në Kosovë është moszbatimi i ligjeve.
“Kosova i ka ligjet shumë të mira në letër por të gjithë shqetësohemi nga shkalla e moszbatimit të ligjit,” tha Delawie.
Sipas të gjeturave të USAID-it 73 për qind e njerëzve në Kosovë nuk kanë njohuri për të drejtat e tyre pronësore.
USAID-i ka ardhur në përfundim se vetëm 3.8 për qind e grave në Kosovë trashëgojnë pronë nga prindërit.
Në qershor të këtij viti, “Drejtësia në Kosovë” hulumtoi heqjen dorë të grave nga trashëgimia prindërore në emër të traditës. /kallxo.com
.