Për shtatë net radhazi ferizajasit do të kenë rastin që të shohin shfaqje të ndryshme në skenën e teatrit të qytetit “Adriana” në Ferizaj.
Të premten në mbrëmje është hapur edicioni i 46-të i Festivalit të Teatrove të Kosovës, një eveniment i kulturës i cili tradicionalisht mbahet në Ferizaj.
Me këtë rast është thënë se për gjatë shtatë ditëve sa do të zgjasë ky festival, para dashamirëve të artit skenik do të prezantohen vepra teatrore nga të gjitha viset shqiptare.
I pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, nën patronatin e të cilit edhe po mbahet ky edicion ka thënë para audiencës se kjo është një ngjarje e rëndësishme kulturore jo vetëm për Ferizajn, që na ofron mundësinë për çdo vit të shijojmë arritjet teatrore nga anë të ndryshme të gjeografisë shqiptare.
“Kjo gjë do të ndodh edhe sivjet, duke na dhënë mundësi të njihemi me vlerat teatrore dhe kulturore që po krijohen aktualisht tek ne. Festivali i teatrove në Ferizaj, ka krijuar tashmë një traditë të begatshme dhe paraqet vlerë të mëvetësishme në rrjedhat kulturore në Ferizaj e më gjerë. Bëhet fjalë për një traditë rrugëtimi artistik që ka shënuar ngritjet e zbritjet e veta, por që gjithsesi e ka begatuar jetën kulturore ndër ne. Uroj që edicioni i sivjetëm i këtij festivali të shënojë përparime dhe të jetë në nivel të lakmueshëm sa i takon cilësisë së shfaqjeve”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar Komuna e Ferizajt e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë këtë festival me të gjitha mundësitë e veta.
Festivali i sivjetëm prezantohet me shfaqje teatrore të zhanreve të ndryshme, të punuara nga trupat teatrore nga Shqipëria dhe Kosova.
Organizatori i festivalit ka bërë të ditur se përpjekjet kanë shkuar në drejtim që para publikut ferizajas të prezantohen ato vepra të cilat komunikojnë mjaftë mirë me publikun.
Festivali po organizohet nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Ferizajt, ndërsa po ndihmohet edhe nga Ministria e Kulturës(MK) dhe sponsori i festivalit Raiffeisen Bank.
Festivali ka karakter garues dhe mu për këtë janë paraparë edhe 10 çmime tradicionale të festivalit.
Juria pesë anëtarshe e festivalit në përbërje prej Petrit Mala, Agim Selimi, Arjan Krasniqi, Dardana Mehmeti, Besim Uksmajli. Udhëheqës i tryezës do të jetë Haqif Mulliqi.
Në natën e parë të festivalit para dashamirëve të teatrit është prezantuar shfaqja “Natën e mirë nënë” e autorit Marsha Norma, inskenimin e ka bërë tetari kombëtar, në regji të Elhame Kutllovcit.