19,09,2024

Të zbardhën të gjitha krimet e luftës dhe pasluftës në Kosovë

Must Read

Shkruan: Hashim Thaçi

Arsyeja e parë për këtë takim sot është që edhe një herë, publikisht, të përgëzoj sistemin e drejtësisë në përgjithësi në Kosovë, për punën e suksesshme që ka bërë në vitet e fundit.

Falë këtij angazhimi, kemi ngritur një sistem të drejtësisë të konsoliduar, i gatshëm të përballet me të gjitha sfidat dhe nevojat e Republikës së Kosovës.

Sistemi i drejtësisë është ngritur nga zeroja, duke ngritur gradualisht, hap pas hapi, kapacitetet njerëzore dhe teknike dhe duke ngritur infrastrukturë ligjore në përputhje me nevojat e Kosovës, por edhe me standardet më të larta ndërkombëtare.

Falë kësaj pune çdo ditë e më shumë po shohim rezultate konkrete, pozitive, të sistemit të drejtësisë në instalimin e rendit dhe ligjit.

I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të bashkohen në vlerësimin e këtyre sukseseve të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Këto të arritura po njihen edhe nga bashkësia ndërkombëtare që tanimë ka dorëzuar tek organet vendore të drejtësisë gati tërë kompetencat që ka mbajtur dikur.

Kjo është bërë pas vlerësimeve strikte që u janë bërë të gjithë sektorëve të drejtësisë.

Falë profesionalizmit, paanshmërisë, përkushtimit të dëshmuar të të gjithëve që punojnë sot në sistemin e drejtësisë, tani kemi marrë në duart tona përgjegjësi që nuk i kemi pasur asnjëherë.

Vendi ynë, që nga përfundimi i luftës, ka gëzuar përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë në ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve të drejtësisë dhe në shtimin e kapaciteteve për të ndërmarrë hapa ligjorë e profesionalë që të zgjidhen të gjitha veprat kriminale.

Jemi mirënjohës për këtë përkrahje që ka kontribuar edhe në ngritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve tona vendore për t’u marrë në mënyrë të pavarur me drejtësinë.

Dhe tani, pasi që këto kompetenca janë bartur tek institucionet vendore, përgjegjësia jonë është më e madhe ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që të bëjmë drejtësi.

Duke u nisur nga mandati im kushtetues si president, për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, dhe si përfaqësues i unitetit të popullit të Republikës së Kosovës, duke u inspiruar nga sukseset e sistemit të drejtësisë, sot i kam dërguar katër letra në adresë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe në adresë të Këshillit Prokurorial të Kosovës për t’i inkurajuar që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë një numri të rasteve që shqetësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Krimet e kryera gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë,si dhe shkatërrimet e pasurisë, veçanërisht ato të trashëgimisë historike e kulturore, ende presin të marrin përgjigjen e merituar nga drejtësia.

Në letrën e parë theksova nevojën për t’u marrë me krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës.

Rastet e njohura të krimeve të rënda të luftës, siç është masakra kundër familjes Jashari në Prekaz, masakra në Reçak, në Izbicë, në Abri të Epërme, në Krushë të Madhe, në Likoshan, në Mejë, në Dubravë, në Qyshk, në Lubeniq, në Grashticë apo kudo tjetër në Kosovë, duhet të marrin trajtimin e duhur nga drejtësia.

Në letrën e dytë sugjerova që vëmendje t’u kushtohet edhe shumë krimeve serioze të kryera menjëherë paslufte apo në vitet e mëvonshme, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyçi në qershor 1999, përpjekja për atentat kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova në mars 2005, si dhe vrasja e një numri të personaliteteve publike.

Por, edhe rasteve si ai në Grackë të Vjetër në Lipjan, rasti në Gorazhdec të Pejës ku u vranë dy fëmijë, si dhe rasti i sulmit në autobusin e ‘’Nish-ekspresit’’, në afërsi të Podujevës, ku u vranë 14 udhëtarë e 43 të tjerë janë plagosur.

Në letrën e tretë kërkova që një vëmendje e veçantë t’i kushtohet një prej krimeve më monstruoze, përdhunimin e personave, veçanërisht të grave e vajzave gjatë luftës në Kosovës, më 1998-1999.

Kjo plagë është mbajtur e heshtur mjaft gjatë.

Por, falë guximit të grave dhe vajzave, viktima të këtij krimi, kemi mbledhur mjaft informata për të kuptuar peshën e rëndë të këtij akti kriminal.

Për të gjitha këto krime, qytetarët e Republikës së Kosovës, familjet e tyre, por edhe e tërë shoqëria kosovare, kanë nevojë për drejtësi.

Disa nga këto krime janë trajtuar nga organet ndërkombëtare të drejtësisë, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigjen e merituar.

Në letrën e katërt, e inkurajova Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, që vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe zbardhjes së të vërtetës për shkatërrimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore, religjioze dhe historike.

Janë disa kategori të dallueshme që besoj se meritojnë kujdes të veçantë:

Shkatërrimi masiv i objekteve të kultit islam dhe katolik, të kryera qëllimisht nga shteti i Serbisë, si përpjekje e shfarosjes fizike të popullit të Kosovës gjatë luftës 1998–1999.

Sipas studimeve të shumta, mbi 200 objekte apothënë ndryshe mbi 40 për qind e objekteve të fesë islame dhe 5 kisha katolike janë shkatërruar apo dëmtuar në mënyrë sistematike nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe, të urdhëruara direkt nga shteti i Serbisë.

Po ashtu, pjesë të trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë, të rëndësisë së veçantë historike, janë dëmtuar pas luftës.

Deri sa jemi krenarë që gjatë luftës asnjë objekt që i ka takuar kësaj trashëgimie nuk është cenuar, pas luftës ka pasur disa dhjetëra sulme dhe shkatërrime të këtyre objekteve, nga individë apo grupe kriminale.

Besoj se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe komunitetet tjera sikur që është Kisha Ortodokse Serbe, kanë nevojë për një mbështetje dhe inkurajim duke dëshmuar qasje serioze të organeve të drejtësisë në zbardhjen e këtyre sulmeve të turpshme dhe kriminale.

Por, dëmtimi dhe shkatërrimi i objekteve të trashëgimisë kulturore po ndodhë edhe sot dhe atë në disa pjesë të Kosovës, përkundër kornizës së qartë ligjore që qartëson nevojën dhe obligimin e institucioneve qendrore dhe lokale për mbrojtjen e trashëgimisë tonë.

Në disa raste të vetmuara dhe izoluara, këto sulme kanë edhe primesa të ekstremizmit duke shkaktuar edhe tensione që cenojnë tolerancën tonë shumëvjeçare, dialogun ndërfetar dhe pajtimin ndëretnik.

Duke respektuar trashëgiminë historike të çdo komuniteti, mund ta marrim në duar të ardhmen tonë dhe të ndërtojmë rrëfimin për të ardhmen e përbashkët, multietnike dhe multifetare të shoqërisë sonë.

Kjo është pasuria më e madhe e Kosovës.

Duhet të tregojmë – para të gjithëve – se Kosova ka kapacitete dhe populli ynë ka gatishmërinë që edhe më tutje, tani në paqe, të ruajë historinë tonë.

Paqja pa drejtësi nuk është e plotë, drejtësia ndihmon pajtimin.

Duhet të ketë paqe në çdo familje, në çdo shtëpi, në gjithë shoqërinë tonë, në tërë shtetin tonë.

Kam besim të plotë se organet e drejtësisë në Kosovë, me profesionalizmin e tyre, me përkushtimin e tyre, me paanshmërinë e tyre, mund t’u japin përgjigje të gjitha këtyre çështjeve.

Këtë e meritojnë dhe e presin të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, në letrat e mia, e shpreha bindjen se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit do ta ketë mbështetjen e të gjithëve për këtë mision.

Nëse është e nevojshme, do të ndajmë mjete shtesë financiare për ekspertizë vendore dhe ndërkombëtare.

Jam i bindur se të gjitha institucionet, qytetarët, opinioni publik, shoqëria civile, organizatat për të drejtat e njeriut dhe partnerët ndërkombëtarë do të jenë bashkëpunues dhe ndihmues në realizimin e këtij misioni.

Zbardhja e së vërtetës për këto raste do të rezultonte edhe në fuqizimin e besimit të të gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

 (Fjalimi i presidentit Thaçi para medieve me rastin e dorëzimit të katër letrave në Prokurori të Shtetit për zbardhen e krimeve të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Titulli është i redaksisë)

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

U mbajt mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Metushi

Paraditen e sotme, në ambientet e Teatrit "Adriana" në organizimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img