28,11,2024

Dialogu Kosovë – Serbi, përmbyllet me integrim në BE apo njohje reciproke?

Must Read
Edita Tahiri

Sipas analistëve, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të vazhdojë deri në përmbylljen e procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, sipas përfaqësuesve qeveritar, ky proces nuk mund të zgjasë deri në atë fazë, por duhet të dinamizohet dhe përmbyllet më shpejt.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se bisedimet duhet të intensifikohen në mënyrë që të hapet edhe kapitulli me temat përmbyllëse.

“Duhet të dinamizohet dialogu dhe të jetë më i shkurtë, në mënyrë që të përfundojë më shpejt dhe jo të përfundojë siç e mendojnë disa, në kohën kur të dyja shtetet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”.

“Pra, ne mendojmë që dialogu mund të ketë sukses vetëm në qoftë se do të jetë i dinamizuar dhe të rrumbullakohet me një proces të njohjes reciproke mes dy shteteve”, thekson Tahiri.

Ndërkohë, në opinionet e tyre, analistët politikë presin që bisedimet do të sjellin si rezultat edhe disa marrëveshje.

Për faktin se Serbia është një hap përpara Kosovës në procesin e integrimit evropian, besohet se nëse jo njohja e Kosovës, të paktën arritja e një marrëveshjeje me Kosovën për normalizim të plotë të marrëdhënieve, mund të jetë një nga obligimet e fundit që do ta ketë Serbia para se të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje, paralajmërohet se do të përmbajë edhe klauzolën, përmes së cilës, Serbia do të zotohet se nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Analisti i Grupit për Ballkanin, Naim Rashiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian është i interesuar që tash për tash të mbyllen temat që kanë dalë si rezultat i Marrëveshjes së parë të prillit të vitit 2013. Kurse, deri te mbyllja e dialogut, Rashiti thotë se do të dalin si nevojë edhe disa marrëveshje tjera.

“Këtë proces që e ka ndërtuar BE-ja po mendon që të zgjasë deri në integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Është shumë i zgjatur. Pjesa e parë e marrëveshjes kryesisht është për integrimin e serbëve, që është me rëndësi për Kosovën, por me të nuk normalizohen raportet me Serbinë”.

“Kështu që, marrëveshja e dytë mund të ketë fusha tjera, kombinim i çështjeve teknike dhe ndoshta si të respektohen legjislacionet e njërit dhe tjetrit shtet, por nuk do të jetë fazë e përmbylljes. Do të shohim marrëveshjen e parë, të dytë, të tretë,të katërt e kështu me radhë”, thotë Rashiti.

Në anën tjetër, ministrja për Dialog, Edita Tahiri thotë se që nga viti 2014, Prishtina i ka dorëzuar Brukselit një dokument ku përfshihen temat dhe parimet e rrumbullakimit të dialogut. Ajo i përmend disa nga kërkesat e Prishtinës për finalizimin e dialogut, ndonëse i gjithë procesi aktualisht po udhëhiqet dhe lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ky dokument përfshin disa parime. Së pari që të realizohet demarkacioni ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pastaj vendosja e parimit të respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe mos ndërhyrjes në sovranitetit e njëra tjetrës, sipas të Drejtës Ndërkombëtare”.

“Një parim tjetër është që të dyja shtetet të mos e pengojnë njëra-tjetrën në integrimet ndërkombëtare, pra këtu kemi të bëjmë me mospendimin, nga ana e Serbisë, që Kosova të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, thotë Tahiri.

Ndër parimet tjera që i kërkon Prishtina, sipas Edita Tahirit, janë shuarja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, reparacionet e luftës dhe dëmshpërblimi që Serbia duhet t’i paguajë Kosovës, pastaj njohja reciproke e deri te diskutimet për sukcesion në mënyrë që Kosova të marrë hisen e vet si një prej ish-njësive federale të ish-Jugosllavisë.

Ndërkohë, Naim Rashiti thotë se kohëve të fundit, po vërehet një interesim i Serbisë për bisedime teknike në mënyrë që të përshpejtojë hapat e saj drejt hapjes së kapitullit 35 të përcaktuar nga Bashkimi Evropian, ku flitet për raportet me Kosovën. Por, këto zhvillime, sipas tij, ndërlidhen me këtë fazë të dialogut dhe jo me përmbylljen e procesit.

“Në këtë fazë, e besoj edhe në vitet e ardhshme do të flasim vetëm për zbatimin e marrëveshjes së parë, ku përfshihet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Po ashtu, dialog në nivel liderësh do të ketë shumë pak deri në fund të vitit”.

“Serbia këta muaj është shumë aktive për të treguar gatishmëri në zbatimin e marrëveshjeve për faktin se është duke pritur raportin e kapitullin 35 për hapjen e dy kapitujve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thekson Rashiti.

Analisti Rashiti pret që në pranverën e vitit të ardhshëm, të ketë edhe një tjetër ngadalësim të dialogut, për shkak të zgjedhjeve presidenciale në Serbi.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Qëllimi i këtij dialogu është thënë se është normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve, si kusht që do t’i paraprijë integrimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian.(REL)

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img