23,12,2024

Për zbatimin e MSA-së, Institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi

Must Read
MSA

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Grupin për Studime Juridike dhe Politike,  mbajti debat publik me temën: “Progresi në Zbatimin e MSA-së: Sfidat në agjendën evropiane dhe reformat në sundimin e ligjit”.

Gjatë kësaj tryeze u diskutua lidhur me rolin dhe përgjegjësitë që kanë  institucionet e Kosovës në implementimin e marrëveshjes së MSA-së.

Me këtë rast u debatua për sfidat e përgjithshme të vendit lidhur me MSA-në dhe procesit të integrimit evropian, ndërkaq u konkludua se rruga deri në anëtarësimin e Kosovës në BE do të jetë e gjatë.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, tha se me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Kosova filloi marrëdhënien e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian.

Ajo, po ashtu tha se, me gjithë simbolikën që ka kjo marrëveshje, fokusi tani duhet të vendoset tek zbatimi dhe përmbushja e obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje. Në këtë vazhdë, sipas saj, Kuvendi i Kosovës dhe veçanërisht Komisioni për Integrime Evropiane do të luajë  një rol kyç në këtë proces.

“Përafrimi i ligjeve me legjislacionin e BE-së dhe mbikëqyrja e zbatimit të marrëveshjes nga institucionet qeveritare dhe agjencitë e pavarura, do të jenë detyrat kyqe të Komisionit tonë. Këto detyra do të kërkojnë përkushtim, sakrificë dhe mbi të gjitha, vullnet dhe profesionalizëm”, tha Emini, duke

përmendur  raportin gjashtëmujor të GLPS-së. Lidhur me këtë, ajo vlerësoi se, fatkeqësisht, bilanci i punës nuk është pozitiv.

Ndërkaq, Nataliya Apostolova, udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë, gjatë fjalës së saj tha se MSA-ja është e rëndësishme si nga aspekti politik ashtu edhe ai ekonomik. Me këtë rast, ajo sqaroi se MSA-ja është kontrata e parë gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe BE-së dhe e qartëson rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.

“Kjo mund të jetë kthesë e rëndësishme për të gjitha partitë politike që t’i tejkalojnë dallimet dhe ta vërtetojnë orientimin e tyre pro evropian. Marrëveshja kur implementohet siç duhet, sjell përfitime ekonomike për qytetarët”, tha Apostolova.

“Ne duam ta shohim demokracinë në Kosovë, sundimin e ligjit të fuqizuar,  me një Kuvend funksional dhe më një tolerancë  zero për korrupsionin”, pohoi Apostollova, duke theksuar se sundimi i ligjit paraqet sfidat më të mëdha për  Kosovën.

“Nëse ky proces nuk adresohet në mënyrë të qartë me angazhimin e të gjitha institucioneve kjo do të pengojë përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në BE. Në të ardhmen, BE-ja dëshiron të shoh përmirësime në fushën e parandalimit  dhe luftimit të korrupsionit, veçanërisht në kuptim të ndryshimit dhe miratimit  të legjislacionit, fuqizimeve të organeve antikorrupsion, largimin e zyrtarëve politik për të cilët janë ngritur aktakuza apo edhe janë akuzuar për korrupsion, emërimin në mënyrë transparente nëpër borde të kompanive publike…, të gjitha këto nëse realizohen do të qojnë në implementimin e plotë të kësaj marrëveshje”, tha  Apostolova.

Ajo foli edhe për rolin që ka Kuvendi në këtë proces. Në fund të fjalës së saj, ajo vlerësoi se, MSA-ja siguron instrumente konkrete në përmirësimin e ekonomisë, krijimin  vendeve të reja të punës, luftimin e korrupsionit, forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit..etj.

Gjatë kësaj tryeze folën edhe anëtarët e komisionit:  Bislim Zogaj, Vjosa Osmani, Donika Kadaj-Bujupi, Time Kadriaj, Fatmir Xhelili, Arben Gashi, Valdete Bajrami,  si dhe Kujtim Paqaku.

Po ashtu nga një fjalë rasti kanë mbajtur edhe ambsadorët: Gernot Pfandler, ambasador i Republikës së Austrisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, ambasadore e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Gerrie Ëillems, ambasadore e Holandës në Kosovë, si dhe Piero Cristoforo Sardi, ambasadori i Republikës së Italisë në Kosovë, si dhe Lubomir Batary, udhëheqës i zyrës ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Prishtinë./lajmi.net

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img