Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i shoqëruar nga nënkryetari i Xhavit Zariqi, drejtorë të Drejtorive komunale si dhe deputet të Parlamentit të Republikës së Kosovës, janë pritur nga kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, Bujar Hasani, për t’ua uruar festën e Kurban Bajramit.
Me këtë rast kryetari, Svarqa tha se festa e Kurban Bajramit është një ditë e sakrifices, e solidaritetit, një virtyt dhe vlerë njerëzore.
“Jemi këtu për t’i uruar festën e Kurban Bajramit kryetarit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, qytetarëve të besimit islam të komunës së Ferizajt. Është kjo në vazhdën e urimeve dhe takimeve që kohëve të fundit i kemi me Bashkësinë Islame, takime këto shumë të frytshme në kuadër të bashkëpunimit me institucionet komunale. Unë me këtë rast urojë familjet të cilat këtë festë e presin pa të afërmit e tyre të cilët u flijuan për qëllimin më sublime lirinë e vendit, ata të cilët këtë festë po e presin pa të dashurit e tyre të cilët gjenden jashtë vendit për të ndihmuar të afërmit e tyre për një mirëqenie më të mirë” tha Svarqa, duke shtuar se me këtë rast ka përgëzuar kryetarin e KBI, për interpretimin e fesë sonë edhe në gjuhën shqipe si dhe për kultivimin e islamit real, objektiv, jashtë ndikimeve që vinë nga fryma të ndryshme, ku ne si popull më së paku kemi nevojë për gjëra të tilla”, ka thënë kryetari Svarqa.
Ndërsa, kryetari i BI-së në Ferizaj, Bujar Hasani , e ka falënderuar strukturat komunale për këtë vizitë ndërsa është shprehur se festa e Fitër Bajramit ngërthen në vete rikujtimin dhe përkushtimin ndaj Zotit.
Mes kryetarit Svarqa, dhe kryetarit të BI-së Bujar Hasani, janë biseduar edhe çështje të shumta sa i përket fushës së bashkëpunimit.