26,12,2024

Kush e informon këtë kosovar për sulmuesin, merr 20 mijë euro shpërblim

Must Read

Xhavit Spahiu nga Llausha e Skenderajt, i cili ia ka lëshuar një pjesë të tokës së tij një biznesmeni serb, Borisav Noviq, nga Kragujevci, për të ndërtuar dy fabrika në Llaushë, ka njoftuar se shtëpia e tij dhe e vëllait të tij, Sabitit, janë sulmuar me armë zjarri në natën e 17 gushtit të këtij viti.

Ai ia ka dhënë një deklaratë gazetës “Zëri” me të cilin në hollësi e bën me dije opinionin për sulmin, nga i cili “janë bërë dëme të konsiderueshme”. Shkaqet që kanë çuar deri te sulmi, sipas Spahiut, lidhen me ndërmjetësimin, siç thotë ai, në mes të biznesmenit Noviq dhe komunës së Skenderajt për t’i ndërtuar fabrikat.

“E njoftoj opinionin se në mbrëmjen e datës 17 gusht, rreth orës 1:00, një breshëri plumbash janë shkrepur pranë shtëpisë sime dhe të vëllait tim, Sabitit, ku janë shkaktuar disa dëme materiale. Unë jam një ndërmjetësues në mes të një biznesmeni, i quajtur Borisav Noviq dhe Komunës së Skenderajt për ndërtimin e dy fabrikave, për çka është në dijeni edhe vetë nënkryetari Fadil Nura”, thuhet në deklaratën e Spahiut dhënë gazetës “Zëri”, të dielën.

Ai sqaron se fyerjet dhe presioni që i janë bërë duke e quajtur bashkëpunëtor të serbëve dhe tradhtar të kombit, janë bërë vetëm për atë se “ju dha mundësia rreth 400 qytetarëve të Skenderajt me rrethinë që të punësohen”. “Ata njerëz të papunë dhe të pashpresë e kanë pritur që një ditë të punësohen.

Por rasti i sulmit nga persona të panjohur, bën që askush në Skenderaj të mos investojë“, shprehet tutje Spahiu në deklaratën e tij. Ai thotë se në luftën e vitit 1945 i janë vrarë babai dhe axha, ndërsa pohon se në luftën e fundit kishte marrë pjesë aktive me pushkë në dorë. “Tani kërkoj mbrojtje dhe siguri nga organet kompetente që të më dalin në ndihmë. Apeloj te të gjithë ata që kanë ndonjë informatë të më paraqiten, për të cilën do të shpërblehen me 20 mijë euro”, thuhet në fund të deklaratës së Xhavit Spahiut nga Llausha e Skenderajt.

Rastin e sulmit në mënyrë të përgjithësuar dhe pa përmendur emra e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. “Një banor nga fshati Llaushë e Skenderajt ka raportua se të dyshuar të panjohur, për shkaqe të panjohura kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së tij. Njësitet policore në vendin e ngjarjes, në katin e dytë të shtëpisë së viktimës kanë gjetur dhe kanë konfiskuar një predhë fisheku që dyshohet se ka depërtuar përmes xhamit të dritares, ndërsa në mur kanë vërejtur vrima të predhave të shkrepura në drejtim të shtëpisë dhe të veturës. Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në komunikatën e shkurtër të Policisë së Kosovës, për rastin.

Ndryshe, paralajmërimi se një serb nga Kragujevci, i cili në fakt është lindur në “Aroçe” të Llaushës së Skenderajt dhe është një rom i fesë ortodokse, kishte revoltuar tej mase ish-luftëtarët e UÇK-së të Zonës së Drenicës. Ata e kanë quajtur kriminel investitorin serb Borisav Noviq ndërkohë pronarin e tokës (Xhavit Spahiu) e kanë cilësuar “tradhtar dhe bashkëpunëtor të serbëve”.

“Jemi shumë të indinjuar, të mllefosur dhe të tmerruar me lajmin se një serb-rom, një kriminel, do të ndërtojë fabrika në Llaushë. A thua ende paska shqiptarë që bashkëpunojnë me kriminelët serbë. Ai shqiptari tradhtar dhe krimineli janë të njëjtë. Andaj ne si shoqata që kanë dalë nga lufta e UÇK-së e kundërshtojmë fuqishëm këtë projekt, i cili fyen ndjenjat patriotike dhe lëndon tej mase familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e martirëve të Drenicës”, thuhej mes tjerash në reagim e shoqatave të dala nga lufta e Zonës së Drenicës, i cili i ishte dërguar gazetës “Zëri”.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img