22,12,2024

Shihet i pashpresë konsensusi pushtet – opozitë për Demarkacionin

Must Read

Arritja e një konsensusi politik ndërmjet pushtetit dhe opozitës në lidhje me Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duket e pashpresë, vlerësojnë deputetë dhe analistë politik në Prishtinë.

Sipas tyre, blerja e kohës prej tri javëve për ratifikimin e Marrëveshjes në Kuvend, nuk pritet të sjellë ndonjë risi në kuadër të arritjes së konsensusit politik pushtet – opozitë.

Por, më shumë shihet se mund të jetë një blerje kohe për koalicionin qeverisës që t’i siguroj 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, ngase edhe një numër i deputetëve nga partitë në pushtet nuk po e përkrahin marrëveshjen.

Analisti Arben Qirezi nuk pret ndonjë përparim në përafrimin eventual të pushtetit dhe opozitës, por shpreh shqetësimin se pas ratifikimit eventual, gjendja në vend mund të përshkallëzohet në një masë që, sipas tij, mund të mos jetë parë deri më tani.

“Përafrimin e palëve unë e shoh të pamundur, për arsye se kemi praktikisht dy qëndrime krejtësisht të kundërta. Qëndrimi i qeverisë që thotë se demarkacioni është krejtësisht në rregull dhe se Kosova nuk ka humbur territor dhe qëndrimi i opozitës që thotë se Kosova me këtë marrëveshje i humb 8 mijë hektarë tokë”.

“Parashikoj se kur ratifikimi i marrëveshjes të shkojë në Kuvend për ratifikim do të ketë tensionime të mëdha të situatës. Mendoj se këto tensione do të jenë edhe më të mëdha sesa ato që i kemi parë vitin e kaluar. Pra, mund të na pret një vjeshtë me plotët ë papritura ”, ka thënë Qirezi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, njëri nga më të zëshmit kundër versionit aktual të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, thotë se tani është shumë vonë që diçka të përmirësohet.

Ai rikujton se Mali i Zi e ka miratuar marrëveshjen, kurse Qeveria e Kosovës i ka proceduar kuvendit të njëjtën marrëveshje, por me një klauzolë e cila nuk e përjashton mundësinë e plotësimit të saj, ndonëse shprehet skeptik që një gjë e tillë tashmë mund të zbatohet.

“Unë nuk pres ndonjë rezultat gjatë kësaj periudhe kohore, kur kihet parasysh fakti që faktikisht shteti malazias ka bërë miratimin e një marrëveshje të tillë në kuvend. Neve na është procedu një material nga ana e qeverisë dhe komisionit shtetëror për demarkacion në Kuvend”.

“Në atë material është bërë një përpjekje e vogël që gjoja ti shtohet një klauzolë, por unë nuk e di se sa do ta ketë efektin juridik ajo klauzolë, kur dihet se Mali i Zi vetëm se ka aprovu një marrëveshje tjetër”, ka thënë Bulliqi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, klauzola e Qeverisë së Kosovës parasheh që në momentin e gjetjes së fakteve të reja të rishqyrtohet procesi (i shënjimit të vijës kufitare), por ai rikujton se e njëjta klauzolë nuk është proceduar edhe nga Mali i Zi, kështu që mbetet çështje për interpretim kjo klauzolë mund të prodhoj efekte juridike.

Partitë politike në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës aktualisht janë duke zhvilluar konsultime të përditshme me deputetët e tyre në Kuvend, në përpjekje që të sigurojnë votat për ratifikimin e marrëveshjes.

Ndërkohë që opozita, është vënë në një ofensivë politike dhe mobilizuese në terren duke kërkuar mbështetës që do të kundërshtojnë marrëveshjen aktuale me Malin e Zi. Në rast të ratifikimit të marrëveshjes, opozita është kërcënuar se gjendja mund të tensionohet.

Në anën tjetër, përfaqësues diplomatik ndërkombëtar janë duke i përsëritur thirrjet drejtuar të gjitha palëve të përfshira që të bisedojnë dhe të mos ndikojnë në përshkallëzimin e gjendjes.

Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pritet të dalë për shqyrtim dhe votim në Kuvendin e Kosovës më 1 shtator./REL

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img