Një person është arrestuar mbrëmë në rrugën “Agim Ramdani” në afërsi të objektit të Kuvendit të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se arrestimi i personit nuk ka të bëjë me sulmin që u bë ditë më parë në objektin e Kuvendit.
“Një person është arrestuar mbrëmë si rezultat i një kontrolle rutinore. Deri tek arrestimi i tij ka ardhur pasi që nuk u është bindur urdhrave të policisë”, ka thënë Ahemti.
Ndërkaq që nga java e kaluar objekti i Kuvendit të Kosovës vazhdon të jetë nën kontrollin e masave të shumta policore, pas sulmit që iu bë me një mortajë dore nga dy persona të panjohur.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni në raportimin e tij sot para Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri tha se hetimet lidhur me sulmin ndaj Kuvendit janë duke vazhduar ende.
“Incidentin e sulmit në Kuvend, ne e vlerësojmë si incident mjaftë serioz. E kemi cilësuar si akt me elemente terrorist. Dua t’iu siguroj që Policia do të bëjë çfarë është e nevojshme për t’i nxjerr akterët para drejtësisë. Tashmë për interes të këtij hetimi kemi intervistuar disa persona”, tha Maxhuni.