Ferizaj

Shënohet Dita Botërore e Infermierisë në Ferizaj

By FerizajPress

May 12, 2016

Ferizaj– Infermierët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare me rastin e 12 majit “Ditës Botërore të Infermierisë” sot prezantuan punën e tyre profesionale, në një takim, ku përveç infermierëve nga të gjitha qendrat, mori pjesë edhe stafi udhëheqës.

Në fjalën e hapjes, Ushtruesja e Detyrës së Drejtorit, Dr. Ibadete Bucaliu-Ismajli, i përgëzoi infermieret për punën e tyre dhe kontributin që po japin në avancimin e infermierisë familjare dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve.

Gjithashtu, Dr. Ibadete Bucaliu-Ismajli i uroi infermierët për ditën e tyre edhe në emër të kryetarit Muharrem Svarqa dhe drejtorit të DSHMS – së, Dr. Burim Karameta.

Me fjalë rasti u paraqitën edhe Vjollca Ahmeti-kryeinfermiere e Shërbimit Emergjent Primar, Feride Dragoshi – kryeinfermiere në QKMF dhe Viloleta Metushi-përfaqësuese e QKMF – së në Odën e Infermierëve në MSH.

Takimi vazhdoi me prezantime nga infermierët Zahide Gashi, Mirditë Bajrami dhe Xhemajl Jashari të cilët sollën nga një përmbledhje të punës në njësitë e tyre.

Në fund të takimit UD e drejtorit të QKMF – së, Dr. Ibadete Bucaliu ndau mirënjohje për shërbimet në komunitet: Shërbimin për përmirësimin e mirëqenies së nënës dhe fëmijës në komunitet, (QKMF), Kujdesin Paliativ (QMF I, QMF IV), Shërbimin Informues për Shëndetin e Gruas (QMF II), Shërbimin Emergjent Primar, Ekipin e Vaksinimit në Terren, Shërbimin e përpunimit të rasteve në komunitet, Këshillimin për ushqyerjen e fëmijëve të vegjël (QMF III-Greme) dhe Infermierinë Familjare në QTMF. Ndërsa trajnerja e infermierisë familjare shpërndau certifikatat për gjeneratën e dymbëdhjetë të infermierisë familjare.