Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq deklaroi në pyetjen e drejtuar nga Deutsche Welle, në prag të takimeve të fundit mes delegacioneve më të larta të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel se “ai dhe të gjithë serbët do të shkonin për të luftuar në Kosovë e Metohi, në qoftë se është e domosdoshme”. Nikoliq ka thënë se edhe ai vet me të bijtë e tij do të shkonte në luftë po të ishte nevoja.
Sondazhet përgënjeshtrojnë presidentin
Por në hulumtimet e fundit të Qendrës për Politikën e Sigurisë thuhet se 73% e serbëve të anketuar mendojnë se nuk duhet të shkohet në Kosovë për të luftuar, ndërsa 17 % “nuk e di” nëse duhet shkuar për të luftuar për Kosovën apo jo. Vetëm 10 % e të anketuarve janë të sigurt se duhet shkuar në Kosovë për të luttuar për “mbetjen e saj në kuadër të Serbisë”. Në anketën e cila do të prezantohet të hënën (13.02) në Beograd thuhet se në një luftë të re në Kosovë nuk do të shkonin madje as shumica e votuesve të partive djathtiste dhe nacionaliste, si Partia Radikale Serbe (e Sheshelit) apo “Dveri”, shkruan gazeta serbe 2Blic”.
Rinia dhe radikalët luftarakë
Më luftarakët janë të rinjtë e moshës 18-29 vjeç. Gati 15 % e të anketuarve në këtë moshë thonë se do të shkonin në Kosovë për të luftuar, thuhet në studimin e bërë me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë. Në këtë anketë të kryer në periudhën nga 26 dhjetori deri më 14 janar janë përfshirë 1.403 qytetarë të Serbisë të moshës madhore. Kur bëhet fjalë për partitë politike, 70,6 % e anëtarëve të partisë në pushtet SNS, të presidentit Nikoliq dhe kryeministrit Aleksandar Vuçiq, mendojnë se nuk duhet shkuar në Kosovë për të luftuar, me qëllim që “ajo të mbetet pjesë e Serbisë”, siç është formuluar në sondazh. Tek partia Demokratike refuzimi i luftës është shumë më i madh (86,5 %), ndërsa tek liberalët madje 87 %.
Më luftarakët janë simpatizantët e partive nacionaliste Dveri dhe radikalët. Tek radikalët gjysma do të shkonte në luftë, ndërsa Dveri 42,5%.